Lidhje

Seahawks, fitues i Kampionatit të Futbollit Amerikan


Ekipi Seahawks i qytetit të Siatellit është fituesi i kampionatit të sivjetshëm të futbollit amerikan, pas fitores mbrëmë në finalen e kampionatit kundër ekipit Broncos të Denverit.

Ekipi i Siatellit ka mbajtur gjatë gjithë sezonit sportiv moton: Çdo lojë sikur të jetë ndeshja e kampionatit dhe kur erdhi dita e kampionatit ata e treguan veten me një lojë të paharruar, që u shqua për një nga mbrojtjet më të mira në historinë e kampionatit të futbollit amerikan.

Ishte një ndeshje e mbizotëruar plotësisht nga Seahawks, që nga shënimi i pikëve të para, avantazhit gjatë gjithë lojës dhe mbylljen e ndeshjes me rezultatin 43-8.

Rezultati la të shtangur shumë analistë sportivë, tifozë dhe lojtarë. Ishte një fakt i mirënjohur që Siatelli kishte mbrojtjen më të fortë nga dy ekipet finaliste, por Broncos i Denverit konsiderohej superior në sulm. Dita e djeshme tregoi superioritetin e plotë të Seahawks përballë Broncos.

Në Siatell vazhdojnë festimet për fitoren, megjithëse shumë nga banorët nuk patën mundësi të ishin pranë ekipit të tyre. Ndeshja e mbrëmshme u zhvillua në Rutherford të Nju Xhërsit, për herë të parë në një stadium të hapur në një qytet me mot të ftohtë. Për fat të mirë për lojtarët, tifozët e organizatorët, fronti i ftohtë atmosferik që kishte pushtuar brigjet verilindore të Shteteve të Bashkuara kishte kaluar që nga mesi i javës së kaluar dhe ndeshja filloi në një mbrëmje të këndshme dimri me temperatura pranë10 gradë celcius.
XS
SM
MD
LG