Lidhje

Super e Marta: Zhvillohen votime në 10 shtete amerikane


Votuesit në 10 shtete amerikane hedhin sot votat për të zgjedhur kandidatin që do të përfaqësojë Partinë Republikane në zgjedhjet presidenciale. Kjo ditë, e njohur si Super e Marta, është konkurimi më i madh mes pretendetëve republikanë në garë. Kandidati republikan Mitt Romney shpreson të ruajë epërsinë që ka siguruar me fitoret e deritanishme në pesë shtete, ndërsa rivali i tij më i fortë Rick Santorum, shpreson se votimet e sotme do të sjellin një përmbysje të situatës, duke i dhënë atij vendin e kandidatit kryesor në garë:

Në votimet e sotme luftohet për më shumë se një të tretën e 1144 delegatëve të nevojshëm për të siguruar emërimin e Partisë Republikane. Kjo shifër e tejkalon numrin e delegatëve që dolën nga zgjedhjet e deritanshme partiake.

Në krye të garës është aktualisht kandidati Mitt Romney, i cili ka fituar në 5 votimet e fundit partiake dhe këtë radhë shpreson se do të dalë si pretendenti i pasfidueshëm.

“Kam nevojë për votën tuaj. Dilni, votoni sa t’ju jepet mundësia. Nxisni miqtë tuaj të shkojnë të votojnë”.

Rivali kryesor i zotit Romney, Rick Santorum po përpiqet që me zgjedhjet e sotme t’i marrë epërsinë zotit Romney, duke përsëritur fitoret e tij në shkurt në tre shtete radhazi.

Dje, kandidatët Romney dhe Santorum zhvilluan fushatë mes votuesve në Ohajo, ku beteja parashikohet të jetë tepër e fortë.

“Ju të gjithë e dini që Super e Marta ofron çmimin më të madh. Shteti i Ohajos është gjithmonë çmimi më i madh, pavarësisht se çfarë zgjedhjesh janë. Ju jenë në qendër të çdo zhvillimi”.

Garat e sotme do ta shtyjnë procesin shumë më pranë identifikimit të një kandidati republikan që do të ballafaqohet me Presidentin Obama në zgjedhjet e nëntorit.

Gara republikane përfshin edhe dy kandidatë të tjerë, ish-kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich dhe ligjvënësin nga Teksasi Ron Paul.

Zoti Gingrich zhvilloi dje fushatë në Tenesi dhe shprehet optimist se do të sigurojë fitore në Xhorxhia, shteti që ai ka përfaqësuar në Kongres për dy dekada dhe ku, sipas anketave ai ka një epërsi të ndjeshme.

Zoti Paul, i cili ende nuk ka siguruar fitore në asnjë shtet, shpreson të dalë mirë në Alaska, Ajdaho dhe Dakodën e Veriut.

XS
SM
MD
LG