Lidhje

Trump, kandidati për Gjykatën e Lartë javën që vjen


Uashingtoni po përgatitet për një betejë të gjatë lidhur me vendin bosh në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara. Presidenti Donald Trump po kërkon njeriun që do të emërojë për të zëvendësuar gjykatësin Anthony Kennedy, i cili del në pension muajin që vjen.

Presidenti Trump ka postuar në Twitter se më 9 korrik do të njoftojë kandidatin për Gjykatën e Lartë.

“Do të zgjedh njeriun e duhur, dikë që ka arritje të mira,” tha Presidenti.

Republikanët në Senat kanë premtuar se votimi i konfirmimit do të bëhet para zgjedhjeve të pjesshme të nëntorit. Mitch McConnell është udhëheqës i shumicës republikane në Senat:

“Senati do të votojë këtë vjeshtë për konfirmimin e pasardhësit të gjykatësit Kennedy. Propozimi i presidentit do të shqyrtohet me drejtësi.”

Demokratët, që ende përmendin refuzimin e republikanëve për të shqyrtuar emërimin e fundit të Presidentit Obama për Gjykatën e Lartë, paralajmërojnë për një ndryshim ideologjik drejt së djathës në gjykatën më të lartë të vendit. Ata thonë se një ndryshim i tillë mund të ndikojë tek të drejtat e abortit, kujdesi shëndetësor, të drejtat e homoseksualëve dhe sindidakat në vitet që vijnë. Ligjvënësi Chuck Schumer është udhëheqës i pakicës demokrate në Senat:

“Pas largimit të zotit Kennedy, Gjykata e Lartë do të jetë e ndarë në mënyrë të barabartë mes gjykatësve të emëruar nga presidentë republikanë dhe demokratë. Kushdo që zëvendëson gjykatësin Kennedy do të ketë mundësinë të ndikojë në ligjet amerikane dhe të drejat e qytetarëve për një brez të tërë.”

Demokratët nuk i kanë mumrat e mjaftueshëm për të bllokuar të emëruarin e zotit Trump. Atyre mund t’u bashkohen republikanë të moderuar që mbështesin abortin dhe kundërshtojnë disa prej emrave në listën e kandidatëve të mundëshëm. Mes tyre mund të jetë edhe senatorja republikane Susan Collins:

“Nuk do të përmend se cilët janë, por ka njerëz në atë listë për të cilët nuk mund të votoj.”

Në intervistat e fundit në media, zoti Trump nuk ka pranuar të thotë nëse pikpamjet për abortin do të jenë faktor përcaktues në zgjedhjen e një kandidati. Por gjatë fushatës presidenciale në vitin 2016, zoti Trump sinjalizoi synime të qarta për t’i hapur rrugën përmbysjes së vendimit historik të vitit 1973 të Gjykatës së Lartë, që sanksiononte të drejtën e abortit.

“Kjo do të ndodhë, do të ndodhë automatikisht, sipas mendimit tim, sepse do të emëroj gjyqëtarë që janë pro-jetës,” tha Presidenti Trump në atë kohë.

Vitin e kaluar, tre senatorë demokratë u bashkuan me republikanët për të votuar kandidatin e parë të Presidentit Trump për Gjykatën e Lartë, konservatorin e fuqishëm Neil Gorsuch. Gjatë presidencës së tij zoti Trump mund të ketë më shumë vende të lira për të mbushur në Gjykatën e Lartë, pasi zoti Kennedy është një nga katër gjyqtarët mbi moshën 70 vjeçare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG