Lidhje

Susan Rice, këshilltare e besuar por figurë e debatueshme


Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice do të bëhet këshilltare e Presidentit për Sigurinë Kombëtare. Ajo do të këshillojë presidentin, pavarësisht nga fakti se kundërshtimet në Kongres para disa muajsh, dëmtuan shanset e saj për t’u bërë Sekretare Shteti. Ajo u gjend në mes të debateve mes Shtëpisë së Bardhë dhe republikanëve në kongres lidhur me sulmin e shtatorit ndaj konsullatës amerikane në Benghazi të Libisë.

Ambasadorja Susan Rice ka qenë një njeri i brendshëm i Uashingtonit që nga lindja. Ajo u rrit në qarqet me ndikim të Uashingtonit, e bija e guvernatorit të Bankës Qendrore. Ajo ishte një studente e shkëlqyer në Universitetin Stanford të Kalifornisë dhe më pas ndoqi studimet pasuniversitare në Universitetin e Oksfordit në Angli.

Ajo i ngjiti shkallët e karrierës së pari duke punuar në administratën e presidentit Bill Clinton si një nga ndihmësit e tij, dhe më pas si ndihmës sekretare e shtetit për Çështjet e Afrikës. Ajo e mbështeti kandidatin e atëhershëm për president Barack Obama që në fillim të fushatës dhe në janar 2009 u bë ambasadore në Kombet e Bashkuara.

Profesori i Universitetit Amerikan dhe autori i librave David Bosco thotë se ambasadorja Rice ka një përvojë të gjerë dhe një marrëdhënie të afërt me Presidentin Obama.

“Ajo e kupton se si funksionon mekanizmi i politikës së jashtme amerikane dhe mendoj se kjo është shumë e vlefshme. Edhe marrëdhënia e saj me Presidentin është shumë e vlefshme”.

Në Kombet e Bashkuara, zonja Rice ka shkëmbyer replika me homologun e saj rus dhe njihet si një negociatore e regjur. Stili i saj diplomatik është përshkruar si praktik dhe i ashpër.

Pas sulmit të 11 shtatorit ndaj konsullatës amerikane në Benghazi, ambasadorja Rice u gjend në qendër të një beteje mes Shtëpisë së Bardhë dhe republikanëve në Kongres.

“Unë u mbështeta plotësisht tek informacioni i komunitetit të zbulimit”.

Senatorë republikanë, përfshirë Lindsey Graham të Karolinës së Jugut, ishin kundër emërimit të zonjës Rice si sekretare shteti, duke u mbështetur tek komentet që ajo bëri pesë ditë pas sulmit që shkaktoi vdekjen e katër amerikanëve.

“Nuk mendoj se ajo meriton të rritet në pozitë. Ka shumë njerëz të kualifikuar në këtë vend që presidenti mund t’i zgjidhte, por unë jam i vendosur që të mos lejojmë t’i jepet ky post dikuj që ishte një aktor kryesor në debatin e Benghazit”.

Megjithëse ambasadorja Rice u takua me senatorët, kundërshtimet vazhduan dhe pavarësisht nga mbështetja e presidentit, ajo u tërhoq nga kandidatura.

“Susan Rice është e jashtëzakonshme. Jam shumë krenar për punën që ajo ka bërë”.

John Kerry mori detyrën e Sekretarit të Shtetit dhe tani zoti Obama zgjodhi Susan Rice si këshilltare të Sigurisë Kombëtare, një post që nuk kërkon konfirmim nga Kongresi.
XS
SM
MD
LG