Lidhje

Rifillojnë evakuimet nga Aleppoja


Të hënën rifilluan evakuimet nga zona e fundit e mbajtur nga kryengritësit në Aleppo dhe dy fshatra të rrethuara prej tyre.

Aktivistët dhe zyrtarët lokalë thanë se mbi 20 autobusë me të ikur dolën nga Aleppoja lindore si pjesë e një operacioni që filloi javën e kaluar.

Mijëra veta kanë mbetur në Aleppon lindore, që ishte vënë nën kontroll nga kryengritësit që në vitin 2012, por që e humbën pothuajse të tërën gjatë një ofensive të trupave qeveritare.

Në shkëmbim të evakuimit nga Aleppoja, qeveria kërkoi që mijëra të sëmurë dhe të plagosur të të largohen nga Foua dhe Kefraya në veriperëndim të krahinës së Idlibit. Vëzhguesi sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, tha se 10 autobusë me të ikur janë larguar të hënën nga ato fshatra.

Të dielën, luftëtarët e lidhur me al-Qaidan sulmuan dhe dogjën autobusët që ishin nisur për në Foua dhe Kefraya, duke nxitur reagimin e ashpër të këshilltarit të OKB-së për të drejtat e njeriut Jan Egeland.

“Burra të armatosur e kokëkrisur dogjën autobusët për në Foua dhe Kefraya, duke rrezikuar evakuimin e civilëve nga zonat e rrethuara në Siri" shkroi ai në rrjetin twitter. Vëzhguesi sirian tha se Jabhat Fatah al-Sham, që njihej si Fronti Nusra, qëndronte prapa djegies së autobusëve.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë të hënën nëse duhen çuar vëzhgues në qytetin e Alepos, për të mbikëqyrur evakuimet dhe për të ndihmuar në mbrojtjen e civilëve që mbeten në qytetin e shkatërruar nga luftimet.

Këshilli po shqyrton një propozim të Francës që alarmoi për përkeqësimin e krizës humanitare në qytet dhe në rrethinat e tij dhe për dhjetëra mijëra banorët e izoluar të Alepos, në nevojë urgjente për t’u evakuuar.

Por, diplomatët perëndimorë i thanë Zërit të Amerikës se ka pak shpresë që propozimi të miratohet nga Rusia, një aleate e presidentit sirian dhe vend me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit. Moska u ka vënë veto gjashtë rezolutave për Sirinë që kur filloi konfliktit në vitin 2011.

XS
SM
MD
LG