Lidhje

Rifillojnë luftimet në Aleppo - shtyhet evakuimi


Në Aleppo rifilluan sot luftime të ashpëra, ndërsa palët e përfshira në konflikt fajësuan njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit. Grupi Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut tha se të mërkurën rifilluan sulme ajrore në zonat e qytetit që kanë mbetur nën kontrollin e forcave rebele që prej katër vjetësh, në fillim të konfliktit:

Rusia fajësoi luftëtarët e opozitës për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit, që u arrit të martën, duke sulmuar pozicionet e qeverisë siriane. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se sulmet i filluan forcat qeveritare.

Rusia, që mbështet presidentin sirian Bashar al-Assad, dhe Turqia, që mbështet forcat rebele që kërkojnë largimin e tij nga pushteti, ndërmjetësuan marrëveshjen e së martës, sipas së cilës të mërkurën në mëngjes do të fillonte evakuimi i njerëzve.

Një numër autobuzësh qeveritarë mbërritën të mërkurën për të filluar evakuimin e njerëzve nga rajonet lindore që dikur ishin nën kontrollin e rebelëve, por evakuimi i tyre nuk u krye dot për shkak të rifillimit të luftimeve. Sipas planit të evakuimit, shumica e luftëtarëve të opozitës do të çohen në qytetin e Idlib, me 165 mijë banorë, 60 kilometetra në jugperëdnim të Aleppos.

Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit ditën e martë, të dërguarit e Perëndimit e kritikuan me forcë Rusinë për mbështetje të vazhdueshme ushtarake të qeverisë së Bashar al Assadit dhe për krimet e kryera për muaj të tërë ndaj banorëve të qytetit dikur një qendër e zhvilluar dhe plot jetë e Sirisë.

"Kemi të bëjmë me një kurth ndaj civilëve, i organizuar nga tre vende anëtare të OKB-së. Ky është një turp për ju. Por në vend që të turpëroheni, ky fakt ju bën të ndjeheni të guximshëm. Ju komplotoni për sulmin tuaj të ardhshëm. Nuk ju vjen turp? Nuk ju shqetësojnë aspak aktet barbare kundër civilëve, ekzekutimet e fëmijëve? Ju vetëm gënjeni dhe justifikoheni për gjithshka.”- tha ambasadorja amerikane Power.

I dërguari rus në Kombet e Bashkuara Vitaly Churkin i hodhi poshtë akuzat e Perëndimit për krime masive, duke i cilësuar ato “pjesë e propagandës, dizinformimit dhe luftës psikologjike.”

Rimarrja e kontrollit të të gjithë qytetit të Alepos do t’i jepte fund katër vjet luftimesh mes fraksioneve të rebelëve dhe ushtrisë siriane me mbështetjen e luftëtarëve Hezbollah të sektit shiit, forcave ruse dhe milicisë shiite me mbështetjen e Iranit.

Ofensiva një-vjeçare e qeverisë u intensifikua në shtator, kur forcat e Asadit u fuqizuan nga forcat ajrore ruse. Vëzhguesit thonë se lufta ajrore e Rusisë ndaj pjesës lindore të Alepos ka qenë sistematike dhe e fuqishme, duke rrafshuar njëra pas tjetrës lagje të tëra.

XS
SM
MD
LG