Lidhje

Një komision i Senatit voton pro një sulmi në Siri


Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë votoi me 10 vota pro dhe 7 kundër. Rezoluta do t'i kalojë tani Senatit në seancë të plotë për miratim

Një komisioni i rëndësishëm i Senatit amerikan votoi në favor të një goditjeje të mundshme ushtarake kundër Sirisë.

Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë votoi me 10 vota pro dhe 7 kundër lidhur me një rezolutë që i jep Presidentit Barak Obama autoritetin për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Sirisë pas përdorimit prej saj të armëve kimike ndaj civilëve.

Rezoluta e Senatit bën thirrje për veprime të kufizuara prej jo më shumë se 90 ditësh dhe thotë se nuk do të ketë dërgim trupash amerikane në terren.

Rezoluta do t'i kalojë tani Senatit në seancë të plotë për miratim. Ajo do të duhet të hidhet në votë edhe në Dhomën e Përfaqësuesve.


KERRY, HAGEL DHE DEMPSEY DËSHMOJNË NË KONGRES

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, Sekretari i Mbrojtjes Chuch Hagel dhe shefi i shtatmadhorisë Martin Dempsey dëshmuan sot për të dytën ditë në Kongres për të bindur ligjvenësit të miratojnë kërkesën e presidentit Obama për një ndërhyrje të kufizuar, me objektiva të qarta dhe pa trupa tokësore në Siri.

Pas përpjekjeve intensive në Kongres deri tani administrata duket se ka siguruar mbështetje nga ligjvënës të rëndësishëm. Sekretari i Shtetit i paralajmëroi ligjvënësit se mosveprimi do të dërgonte një mesazh shumë të gabuar.

"Nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tërhiqen e nuk veprojnë, atëherë cili do të ishte mesazhi për Asadin dhe despotët e atij rajoni? Mesazhi është se ai do të shpëtojë i pandëshkuar.”

Protestuesit kundër ndërhyrjes amerikane ndërprenë seancën në Senat. Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, Robert Menendez tha se amerikanët janë të lodhur nga lufta por shtoi:

“Ne, ose do t’i dërgojmë meazh Sirisë, Iranit, Koresë së Veriut, Hezbollahut, al Qaidës dhe të tjerëve se bota nuk do të tolerojë përdorimin e armëve kimike nga kushdo, ose do të zgjedhim heshtjen përballë vuajtjeve të tmerrshme njerëzore.”


Disa senatorë duan kufizime të rrepta për veprimet ushtarake në Siri. Republikani Bob Corker:

“Nuk besoj se ka mes nesh mbështetje rreth mundësisë së dërgimit të trupave në atë vend.”

Zoti Kerry tha se nuk do të ketë ndërhyrje me trupa tokësore në luftën civile në Siri. Ligjvënës të tjerë shtrojnë pyetjen se çfarë mund të arrihet me veprime të kufizuara ushtarake. Senatori republikan James Risch sugjeroi një skenar të turbullt.

“Nëse shkojmë me goditje të kufizuara, dhe pas këtyre veprimeve ushtarake, Asadi del nga vrima e miut dhe thotë....shikoni i qendrova fuqisë më të madhe dhe fitova.”

Sekretari Kerry argumenton se nuk ka mundësi që goditjet amerikane mund të forcojnë presidentin sirian. Të martën, presidenti Barack Obama u përpoq të tregojë ndryshimin mes përdorimit të forcës në Siri dhe fushatave të gjata pa mbarim amerikane në të kaluarën.

“Nuk është Iraku dhe as Afganistani. Kjo është një përgjigje e kufizuar, proporcionale që do të dërgojë një mesazh të qartë.”

Udhëheqës të rëndësishëm të Kongresit dolën nga takimi në Shtëpinë e Bardhë duke shprehur mbështetje. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve:

“Do të mbështes thirrjen e presidentit për veprim. Ne kemi armiq në botë që duhet të kuptojnë që ne nuk do të tolerojmë këtë lloj sjelljeje.”

Udhëheqësja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi:

“Populli amerikan ka nevojë të dëgjojë më shumë rreth të dhënave që mbështesin këtë veprim.”

XS
SM
MD
LG