Lidhje

Siri: Ngec përsëri diplomacia, vazhdojnë luftimet


Grupet e të drejtave të njeriut thonë se në luftimet më të fundit janë vrarë dhjetra njerëz

Përpjekjet diplomatike për gjendjen në Siri kanë ngecur përsëri, ndërsa edhe sot kanë vazhduar luftimet. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se në luftimet më të fundit mes forcave qeveritare dhe atyre rebele janë vrarë dhjetra njerëz.

Organizata Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut njofton se gjatë ditëve të fundit janë vrarë më tepër se 75 ushtarë të forcave qeveritare, ndërsa forcat kryengritëse i kanë intensifikuar sulmet ndaj pikave qeveritare të kontrollit.

Nuk ka patur konfirmime të pavarura për viktimat. Këshilli Kombëtar Sirian i opozitës njoftoi se forcat qeveritare kishin përdorur tanket, raketat dhe artilerinë për të shtypur forcat rebele.

Ndërkaq në takimin e Bashkimit Evropian në Shën Peterburg, zyrtarët evropianë dhe presidenti rus Valdimir Putin nuk i zgjidhën dot mosmarrëveshjet mbi reagimin ndaj konfliktit 15-mujor në Siri.

Në komenetet që bëri pas përfundimit të takimit, Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy tha se udhëheqësi rus dhe organizata prej 17 vendesh kanë disa vlerësime të kundërta lidhur me Sirinë. Në një konferencë të përbashkët shtypi me zotin Putin zotin Van Rompuy tha se të dyja palët duhet të bashkëpunojnë për të ndaluar dhunën pa humbur kohë, si dhe të fillojnë një proces të tranzicionit politik në vendin e udhëhequr prej 11 vjetësh nga presidenti Bashar al Assad.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Rusia të tregohet më e ashpër në qëndrimin e saj ndaj Presidentit sirian Bashar al-Asad. Një zyrtar i BE është shprehur se Rusia nuk është treguar pozitive në gjetjen e një zgjidhjeje për dhunën në Siri. Kremlini thotë se rruga e vetme është që të gjitha palët të respektojnë planin e ndërmjetësit ndërkombëtar Kofi Annan për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe hapjen e bisedimeve të paqes.
XS
SM
MD
LG