Lidhje

Sulm i dyshuar me gaz helmues në Siri - dhjetëra të vrarë


Veprimtarët opozitarë sirianë dhe ekipet e shpëtimit, thanë të dielën se një sulm me gaz helmues në një qytet të kontrolluar nga kryengritësit afër kryeqytetit, la pas vetes të paktën 40 të vrarë. Pohimet u hodhën poshtë nga qeveria siriane.

Sulmi i pretenduar ndodhi në qytetin Douma të shtunën vonë gjatë ofensivës së qeverisë siriane pas dështimit të armëpushimit.

Njoftimet nuk ishte e mundur të vërtetohen nga burime të pavarura.

Grupi i shpëtimit i lidhur me opozitën, i njohur si Helmetat e Bardha, raportoi sulmin duke thënë se familje të tëra janë gjetur të mbytur në shtëpitë e tyre apo vendstrehime. Grupi njoftoi se mbi 40 veta janë gjetur të vdekur, duke thënë se viktimat kishin shenja të helmimit me gaz përfshirë bebëza të zgjeruara dhe shkumë në gojë. Në deklaratë, megjithatë grupi raportoi për një erë që i ngjante klorit, e cila nuk do të shpjegonte simptomat e përshkruara, zakonisht të lidhura me gazin sarin.

Helmetat e Bardha thanë se rreth 500 veta janë trajtuar me simptomat e frymëzënies dhe simptoma të tjera, duke shtuar se pjesa më e madhe e qendrave mjekësore dhe ambulancave ishin jashtë punës për shkak të bombardimeve.

Shoqata mjekësore siriano-amerikane, një organizatë e ndihmës, tha se 41 veta janë vrarë dhe qindra janë plagosur.

Vëzhguesit Sirianë për të Drejtat e Njeriut, thanë se të paktën 80 veta janë vrarë në Douma të shtunën, përfshirë edhe 40 që vdiqën nga ngufatja. Por ata thanë se mbytjet ishin pasojë e rrënimit të strehimeve që zunë njerëzit brenda.

Video të postuara nga Helmetat e Bardha, tregonin viktima, përfshirë fëmijë në pelena, duke marrë frymë përmes maskave të oksigjenit në spitalet e improvizuara.

Departamenti amerikan i shtetit tha se raportimet për një sulm të pretenduar me armë kimike në Douma, janë "të tmerrshme" dhe nëse konfirmohen "do të kërkojnë një përgjigje të menjëhershme të komunitetit ndërkombëtar".

Zëdhënësja e departamentit të shtetit, Heather Nauert, rikujtoi sulmin me gazin sarin në vitin 2017 në Sirinë veriperëndimore për të cilin perëndimi dhe Kombet e Bashkuara fajësuan qeverinë e (Bashar al) Assadit.

“Regjimi i Assadit dhe mbështetësit e tij duhet të mbahen përgjegjës dhe çdo sulm tjetër duhet të parandalohet menjëherë", tha ajo.

“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Rusisë t'i jap fund kësaj mbështetjeje të pakuptimtë dhe të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të parandaluar sulmet e tjera barbare me armë kimike", tha zonja Nauert në një deklaratë.

Qeveria siriane nëpërmjet një deklarate të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve SANA, hodhi poshtë më forcë pretendimet. Ajo tha se njoftimet ishin "fabrikime" të grupit kryengritës, Armata e Islamit, duke e cilësuar atë si një "përpjekje të dështuar" për të penguar përparimet e qeverisë.

“Ushtria e cila po përparon shpejt dhe më vendosmëri, nuk ka nevojë të përdorë asnjë lloj agjentësh kimik", thuhet në deklaratë.

Qeveria siriane rifilloi ofensivën mbi qytetin Douma të premten pasdite pasi që armëpushimi 10 ditësh dështoi për shkak të disa mospajtimeve rreth evakuimi të luftëtarëve të grupit Armata e Islamit.

Dhuna rifilloi disa ditë pasi që qindra luftëtarë të opozitës dhe familjet e tyre u larguan nga Douma drejt zonave të kontrolluara nga kryengritësit në veri të Sirisë. Douma është fortesa e fundit e kryengritësve në lindje të Ghoutas.

Qeveria siriane tha të dielën se do të fillojë negociatat me grupin kryengritës Jaish al-Islam, pasi që grupi kërkoi bisedime, njoftoi televizioni shtetëror duke cituar burime zyrtare.

Nuk ka pasur ndonjë koment të grupit Jaish al-Islam, që kontrollon enklavën e fundit në lindje të Ghoutas.

Raportimet për sulmin me gaz në Douma ndodhën pikërisht një vit pas sulmit me helme kimike në Khan Sheikhoun në Sirinë veriore që la pas vetes dhjetëra të vrarë. Ai sulm bëri që Shtetet e Bashkuara të godasin me raketa Tomahawk bazën ajrore siriane. Presidenti Donald Trump tha atëbotë se sulmi synonte të pengojë Sirinë të përdorë armët e paligjshme.

Qeveria siriane dhe aleatja e saj Rusia, mohuan çfarëdo përfshirjeje në sulmin me gaz.

Douma shtohet në para lagjet e Damaskut të njohura si Ghouta lindore. Një sulm kimik në Ghoutan lndore në vitin 2013, për të cilin qeveria u fajësua gjerësisht, nxiti Shtetet e Bashkuara që të kërcënohen me ndërhyrje ushtarake.

Siria mohon përdorimin e armëve kimike gjatë luftës qytetare shtatë vjeçare, duke thënë se ka eliminuar armët kimike pas marrëveshjes së vitit 2013 të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, pas sulmit në Ghoutan lindore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG