Lidhje

Shpërthim në Damask, vriten dhjetra vetë


Ngjarja ndodhi ndërsa i dërguari i paqes Brahimi u takua me presidentin Bashar al Assad, duke shtruar kërkesën e tij për armëpushim.

Një taksi e mbushur me eksplozivë shpërtheu pranë një stacioni policie në kryeqytetin e Sirisë sot, duke shkaktuar vdekjen e 13 njerëzve dhe plagosjen e 29 të tjerëve. Ngjarja ndodhi ndërsa i dërguari i paqes Lakhdar Brahimi u takua në anën tjetër të Damaskut me presidentin e Sirisë Bashar al Assad, duke shtruar kërkesën e tij për armëpushim.

Agjencia e zyrtare e lajmeve SANA tha se shpërthimi ndodhi në lagjen e quajtur Bab Touma, një zonë dyqanesh e populluar nga pakica e krishterë siriane dhe që njihet si një nga zonat më të vjetra të Damaskut. Nuk ka patur deklarata të menjëhershme për marrjen e përgjegjësisë në lidhje me shpërthimin vdekjeprurës, por grupet islamike që luftojnë krahas rebelëve kanë deklaruar se janë mbas sulmeve që kryhen ndaj pikave të sigurisë në kryeqytetin e vendit. Një pjesë e madhe e komuniteit të krishterë mbështet zotin Assad.

Ndërkohë, zoti Brahimi – i dërguari i paqes i Kombeve të Bashkuara, u ka bërë thirrje të dyja palëve në konflikt që të mbështesin një armëpushim gjatë katër ditëve të festës së Kurban Bajramit që nis në 26 tetor.

Zoti Brahimi u tha gazetarëve mbas një takimi me dyer të mbylluar se ai është takuar më parë me grupet opozitare brenda e jashtë vendit për të diskutuar mbi planin e armëpushimit. Ai tha se mori një “premtim “ prej tyre por jo një “angazhim” për të respektuar armëpushimin.
XS
SM
MD
LG