Lidhje

Media: Mbërrin në Siri pjesa e parë e një sistemi kundërajror rus


Sipas njoftimeve të medias libaneze, Presidentin sirian Bashar al-Asad ka pranuar se dërgesa e parë e një sistemi të avancuar kundërajror rus ka arritur në Siri. Ndërkaq, opozita siriane ka kërkuar një afat që Presidenti Asad të largohet nga pushteti si kusht që ajo të marrë pjesë në bisedimet e propozuara ndërkombëtare të paqes. Por presidenti Asad deklaron në mënyrë sfiduese se do të mbetet udhëheqës i Sirisë të paktën deri në zgjedhjet e 2014-s dhe se mund të kandidojë për një mandat tjetër.

Ministri i Brendshëm i Sirisë Mohamad al-Shaar bëri dje një deklaratë po aq sfiduese.

"Sot Siria, me rezistencën dhe qëndrueshmërinë e saj, po ua përmbys planet kolonialistëve, imperialistëve ose zionistëve dhe lakenjve të tyre si dhe terroristëve," tha ministri sirian.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po përpiqen të organizojnë një konferencë paqeje në Gjenevë për t'i gjetur një zgjidhje konfliktit të përgjakshëm të Sirisë. Por situata është ndërlikuar nga planet e Moskës për dërgimin e raketave në Siri dhe nga vendimi i Bashkimit Evropian për të hequr embargon e armëve në mënyrë që të ndihmohen kryengritësit sirianë. Veç kësaj, grupi i armatosur Hezbollah me bazë në Liban ka pranuar se është i përfshirë në luftimet e Sirisë ndërsa Irani thotë se është ftuar për të marrë pjesë në konferencën e planifikuar për Sirinë.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun tha se data për konferencën e Gjenevës ende nuk mund të caktohet. Deklarata e tij erdhi disa orë pasi Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut miratoi një rezolutë që dënon shkeljet e këtyre të drejtave në Siri.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov e kritikoi rezolutën.

"Që nga fillimi i këtij konflikti ne kemi përsëritur dhe paralajmëruar vazhdimisht në lidhje me përpjekjet për ta ndërkombëtarizuar atë. Pavarësisht nga kjo, numri i militantëve që hyjnë atje nga jashtë është rritur vazhdimisht. Është rritur edhe fluksi i armëve që marrin militantët".

Ndërkohë Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se vendi i saj nuk do të shesë armë në një vend që është në luftë civile. Konflikti mëse dy-vjeçar në Siri ka shkaktuar rreth 80.000 të vrarë.
XS
SM
MD
LG