Lidhje

Rusi: Nisin bisedimet për Sirinë pavarësisht bojkotit dhe ndërprerjeve


Në Rusi të martën nisën bisedimet e paqes që kanë për qëllim t’i japin fund të luftës 7 vjeçare në Siri, pavarësisht ndërprerjeve, bojkotit dhe mosmarrëveshjeve lidhur me atë se kush duhet të kryesojë këtë ngjarje.

Fjalimi i hapjes i ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov në Kongresin dy ditor sirian të Dialogut Kombëtar që mbahet në vendpushimin e Soçit në Detin e Zi, u ndërpre nga ndërhyrjet e delegatëve siriane dhe thirrjet "jetë të gjatë Rusisë". Fjalimi u vonua për dy orë për shkak të negociatave në vazhdim.

Duke lexuar një letër të presidentit rus Vladimir Putin, zoti Lavrov tha se ishin pjekur kushtet për Sirinë për të kthyer "një faqe tragjike" të historisë së saj. Delegatët sirianë akuzuan Rusinë për vrasjen e civilëve të pafajshëm në vendin e tyre. Pamjet filmike të televizionit shtetëror rus tregonin një roje të sigurisë tek urdhëronte dikë të ulej.

Kritikët e Kongresit të Soçit, akuzuan Rusinë se po përpiqet të rrëmbejë procesin e paqes në Siri nga Kombet e Bashkuara dhe të ofrojë një zgjidhje që favorizon qeverinë e Bashar al-Assad-it.

Një delegacion i opozitës siriane që përfshinte anëtarë të opozitës së armatosur që vinin nga Turqia, pasi mbërritën nuk pranuan të largohen nga aeroporti, duke thënë se po bojkotonin bisedimet për shkak të premtimeve të thyera për heqjen e emblemës e qeverisë siriane nga godinat.

Artyom Kozhin, një diplomat i lartë në ministrinë e Jashtme ruse, tha se zoti Lavrov kishte biseduar me telefon me homologun e tij turk para takimit dhe premtoi se flamujt dhe emblemat siriane do të hiqen nga aeroporti dhe vendi i konferencës. Zoti Kozhin pranoi se kishte pasur ndërlikime lidhur me çështjen.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania refuzuan të merrnin pjesë në konferencë, duke shtyrë një përpjekje të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara për t'i dhënë fund luftës civile.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG