Lidhje

Reagime ndërkombëtare për Sirinë


Inspektorët e armëve të OKB-së vazhduan edhe sot hetimet në Damask lidhur me përdorimin e armëve kimike në Siri. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po përgatiten për mundësinë e një goditjeje ndëshkuese kundër Presidentit Bashar Asad, qeveria e të cilit është fajësuar nga opozita siriane për sulmin. Por parlamenti britanik votoi për të mos mbështetur veprime ushtarake ndaj Sirisë.

Ndërkohë, parlamenti britanik hodhi poshtë një mocion për të miratuar veprime ushtarake kundër Sirisë, megjithë përpjekjet e fuqishme të kryeministrit David Cameron. Duke komentuar sot, zoti Cameron tha se politika është e vështirë dhe fjala e parlamentit duhet dëgjuar.

"Mendoj se publiku amerikan, populli amerikan dhe Presidenti Obama do ta kuptojnë këtë," tha kryeministri britanik.

Udhëheqësi i opozitës britanike, Ed Miliband e përshëndeti vendimin e parlamentit.
Ed Miliband, udhëheqës i opozitës britanike:

"Mendoj se nëse Britania do të angazhohej në një luftë të nxituar dhe të papeshuar, pa bashkëpunim ndërkombëtar dhe pa kaluar përmes Kombeve të Bashkuara, kjo do të ishte diçka e keqe për vendin tonë dhe për popullin e Sirisë," tha zoti Miliband.

Por, disa nga anëtarët e Koalicionit Kombëtar të opozitës siriane me qendër në Stamboll shprehën zhgënjim.

"Çdo veprim i gabuar në këtë moment dërgon një mesazh të gabuar," tha zëdhënësi Khalid Saleh.

Khalid Saleh, zëdhënës i opozitës siriane
"Kjo vonon veprimin e bashkësisë ndërkombëtare. Çdo vonesë bën që Bashar Assadi të jetë në gjendje të lëvizë forcat dhe t'i fshehë ato nga çdo goditje e mundshme," tha zëdhënësi i opozitës siriane.

Nga ana e saj, qeveria gjermane tha sot përmes një zëdhënësi se nuk po shqyrton mundësinë për t'ju bashkuar veprimeve të mundshme ushtarake kundër Sirisë dhe se nuk i është kërkuar një gjë e tillë.

Berlini i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të marrë një "qëndrim të qartë" pas përdorimit të armëve kimike në Siri, por pa komentuar se çfarë konkretisht nënkupton kjo.

Presidenti Assad ka thënë se vendi i tij "do ta mbrojë veten ndaj çdo agresioni" të Perëndimit, dhe mohon çdo akuzë se ka përdorur armë kimike kundër civilëve.
XS
SM
MD
LG