Lidhje

Siri, sulm me bombë ndaj kryeministrit


Kryeministri i Sirisë, Wael al-Halqi i shpëtoi një sulmi me bombë në Damask kundër autokolonës së tij, sulmi i fundit me objektiv zyrtarët e qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad. Media shtetërore njoftoi se shpërthimi në distriktin Mazzeh në anën perëndimore të kryeqytetit shkaktoi viktima, por kryeministri shpëtoi i padëmtuar.

Televizioni shtetror tregoi pamje të makinave të dëmtuara rëndë, përfshirë edhe një autobuz shkolle të nxirë nga flakët dhe tymi, ndërsa zjarrfikësit shuanin zjarrin e shkaktuar nga shpërthimi. Zyrtarët sirianë fjalësojnë për sulmin "terroristët," shprehje kjo që qeveria e përdor shpesh kur i referohet forcave që luftojnë kundër regjimit të presidentit Assad.
Sulmi në distriktin Mazzeh, një zonë e Damaskut, ku banojnë shumë zyrtarë të lartë, nuk ishte përpjekje e parë për vrasjen e një zyrtari të lartë.
Korrikun e kaluar, një sulm vetëvrasës me bombë në ndërtesën e sigurimit kombëtar të Sirisë, po në Damask vrau ministrin e Mbrojtjes dhe zv/ministrin e Mbrojtjes.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius tha sot se Franca po përpiqet të verifikojë njoftimet për përdorimin e armëve kimike nga ana e Sirisë. Zoti Fabius tha sot se përdorimi i këtyre armëve në Siri nuk është vërtetuar ende.

"Ne i kemi kërkuar Kombeve të Bashkuara dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së që të bëjë hetime në gjithë Sirinë për të vlerësuar gjendjen aktuale".

Ministri Fabius tha gjithashtu se refuzimi i Sirisë për të lejuar hetuesit në vend ngjall dyshime, prandaj theksoi ai, Franca do të zhvillojë "një sërë hetimesh" në kërkim të së vërtetës.

"Presidenti amerikan Barack Obama dhe Presidenti francez, si dhe rusët kanë thënë se nëse vërtetohet që Siria ka përdorur armë kimike, kjo do të ndryshojë shumë gjëra”.

Por ministri i Jashtëm francez nuk dha hollësi se si do të ndryshonin gjërat dhe se si do të përgjigjej Franca.

XS
SM
MD
LG