Lidhje

Hetimi i krimeve të luftës në Siri


Zyrtarja më e lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut thotë se provat e mbledhura nga hetuesit e OKB-së për krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës implikojnë Presidentin sirian Bashar Al-Asad dhe anëtarët e rrethit të tij të brendshëm.

Shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay tha dje se shkalla dhe ashpërsia e abuzimeve të kryera nga të dyja palët është e gjërë dhe se ato janë duke u dokumentuar mirë nga një grup ekspertësh të hetuesisë.

"Ata kanë mbledhur prova masive, ata gjejnë faktet. Mbi këtë bazë, ata kanë bërë një raport ku shprehin pikëpamjen e tyre se faktet e paraqitura para Komisionit tregojnë se janë kryer krime shumë të rënda, krime lufte, krime kundër njerëzimit. Ata i referohen faktit se provat tregojnë për një përgjegjësi në nivelin më të lartë të qeverisë, duke përfshirë të kreun e shtetit," tha zonja Pillay.

Ekipi i OKB-së i përbërë nga katër hetues, i cili ka hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut që pas shpërthimit të luftimeve, në të kaluarën ka akuzuar si qeverinë siriane ashtu dhe rebelët për kryerje të krimeve të luftës.

Megjithatë, për herë të parë ata tani kanë krijuar një listë të gjatë dhe konfidenciale të autorëve të dyshuar të krimeve, ku përfshihet edhe Presidenti Asad.
XS
SM
MD
LG