Lidhje

Tahiri: Të mbyllen celularët pa përdorues të identifikuar


Në Shqipëri ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ju drejtua sot Autoritetit të Komunikimeve elektronike dhe Postare për mbylljen e menjëhershme të numrave celularë për të cilët nuk ka të dhëna për përdoruesin e tyre.

Kërkesa e ministrit Tahiri vjen pas disa rasteve të përsëritura të atentateve me bombë të telekomanduara përmes celularëve, duke theksuar se "nga hetimet paraprake mbi disa çështje me rrezikshmëri kriminale të theksuar është evidentuar një element i përbashkët që mund të ketë lehtësuar kryerjen e veprimtarisë kriminale: numrat celularë pa pronar të identifikuar.

Sipas ministrit, "ky fenomen i trashëguar prej kohësh është kthyer në një problem që cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, rendin publik e mbi të gjitha jetën e qytetarëve".

Por nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike sqarojnë se ligjërisht asnjë numër telefoni celular nuk duhet të jetë i paregjistruar, pasi kjo përbën shkelje dhe se rastet e mundshme mund të jenë për shkak të dhënies së gjeneraliteteve të rreme apo abuzimi.

Sipas Autoritetit, është gati i pamundur, por shton se në konsultime me operatorët e telefonisë celulare dhe ministrinë apo dhe prokurorinë, mund të shihet nëse ka nevojë për rregullime të tjera ligjore. Sipas ministrisë së Brendshme do të duhen të përfshihen sanksione penale për të gjithë përgjegjësit, nga operatorët celularë deri te shitësit dhe blerësit e numrave celularë fantazmë, shprehet ministria.
XS
SM
MD
LG