Lidhje

SHBA, takim i sipërmarrësve


Qindra sipërmarrës nga gjithë bota janë mbledhur në Kaliforni për t’u takuar me politikanë, investitorë dhe njerëz me arritje të rëndësishme në fushën e tyre.

Në takimin e Kalifornisë, lista e folësve dhe panelistëve nga qeveria amerikane dhe komuniteti i biznesit është e gjatë dhe përfshin Presidentin Barack Obama, Sekretarin e Shtetit John Kerry dhe Sekretaren e Tregtisë Penny Pritzker. Të pranishëm do të jenë edhe themeluesit e kompanive të tilla të suksesshme si Google dhe Airbnb.

"Ne kemi investitorë, të gjithë përkrahësit e ekosistemit, edukatorë, përfaqësues të biznesit, zyrtarë të qeverisë. Ata përfaqësojnë këto talente sipërmarrëse që vjen nga i gjithë vendi dhe bota," tha shefja e Zyrës Amerikane për Teknologjinë, Megan Smith. "Këtu kemi talente të shumtë nga vende të ndryshme,” tha ajo.

Disa nga seancat do të përqëndrohen te puna e agjencive qeveritare për të kthyer vëmendjen te sipërmarrësit si nxitës të rritjes ekonomike. Në takim do të flitet edhe për angazhimin e kompanive amerikane të teknologjisë në Silicon Valley në tregjet në zhvillim.

"Ne besojmë se sipërmarrja është një vlerë themelore amerikane që nxit dëshirën për bashkëpunim në mbarë botën", thotë Zëvendës Këshilltari i Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, Ben Rhodes. "Ne përpiqemi të mbledhim sipërmarrësit në mënyrë që ata takohen dhe të vendosin bashkëpunim me njëri-tjetrin. Shpesh sipërmarrësit nga ekonomitë në zhvillim nuk kanë të njëjtin lloj ekspozimi ndaj kolegëve të tyre ashtu si në Shtetet e Bashkuara."

Naomi Tulai-Solanke nga Liberia është një nga sipërmarrëset e ftuara në takim. Kompania e saj, Healthcare Community Initiative, fokusohet në ofrimin e kujdesit shëndetësor për gratë dhe fëmijët në nevojë si dhe në edukimin dhe fuqizimin e vajzave.

"Kur u zgjodha për herë të parë për të marrë pjesë në takim, pata mijëra mendime," tha ajo për Zërin e Amerikës. "Por shumë shpejt fillova ta kuptoj se një nga gjërat më të rëndësishme që dua të arrijë këtu është vendosja e kontakteve me njerëz të profesionit tim dhe t’i informoj ata për punën time."

Seancat e tjera të takimit do të fokusohen në sfidat me të cilat përballen sipërmarrësit në Afrikë dhe puna që ata mund të bëjnë për të filluar një biznes në një vend tjetër.

Steven Ozoigbo, President i Fondacionit të Teknologjisë Afrikane, ka lindur në Nigeri, por tani jeton në Kaliforni. Ai thotë se 90 përqind e kompanive të reja në Silicon Valley dështojnë dhe se sipërmarrësit në Afrikë duhet të kuptojnë se një përfundim i tillë është pjesë e natyrshme e biznesit.

"Frika e dështimit në Afrikë është një frikë kulturore, prandaj ne duhet të punojmë për ta tejkaluar këtë. Ne duhet të jemi në kërkim të tregjeve të caktuara, mjediseve të caktuara ku në fakt mund të bëjmë ndryshime, dhe ku mund të arrijmë të kuptojmë problemet dhe zgjidhjet," tha ai për Zërin e Amerikës.

Kompania e tij ka për qëllim të lidhë sipërmarrësit afrikanë me burimet që zakonisht gjenden në rajone si Silicon Valley. Këshilla e tij për ata që duan të zgjerojnë bizneset është që të kenë një fokus lokal.

Zoti Rhodes thotë se një nga arsyet që Shtetet e Bashkuara janë të fokusuara në sipërmarrjen është se përpjekjet e tyre "duhet të afirmojnë vlera pozitive" dhe jo thjesht të promovojnë gjëra që i kundërshojnë, si lufta kundër Shtetit Islamik.

"Njerëzit që vijnë në këtë lloj takimi janë të përqendruar në atë që ata mund të ndërtojnë. ISIS-i është i fokusuar vetëm në atë që mund të shkatërrohet", tha ai.

XS
SM
MD
LG