Lidhje

Takimi i Amerikave: Përjashtimi i Kubës temë fërkimesh


Presidenti Obama po ndeshet me presion nga homologët e tij në Samitin e Amerikave për të lejuar pjesëmarrjen e Kubës në këtë aktivitet. Vende të udhëhequra nga qeveri majtiste, por edhe regjime konservatore po kërkojnë me ngulm që Kuba të lejohet të marrë pjesë në takimin e ardhshëm. Ndërkohë që udhëheqësit e hemisferës perëndimore mblidhen sot për ditën e dytë dhe të fundit të takimit, ka një numër temash që kanë krijuar fërkime mes udhëheqësve pjesëmarrës.

Takimi i nivelit të lartë filloi dje punimet me një manifestim të hapur të fërkimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe pjesëmarrësve të tjerë në takim, lidhur me përjashtimin e Kubës. Shtetet e Bashkuara iu përmbajtën me forcë qëndrimit të tyre për të mos lejuar pjesëmarrjen e Kubës, gjë që ka zgjuar reagime nga udhëheqësit e tjerë. Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, nuk i kurseu kritikat, në fjalën e hapjesë së aktivitetit.

“Izolimi, embargoja, indiferenca, të gjitha kanë treguar se janë të paefektshme. Këto janë veprime anakroniste që kanë mbetur nga periudha e Luftës së Ftohtë, që e kapërcyem dekada më parë”.

Fati i dokumentit përfundimtar të takimit mund të vihet në pikëpyetje nga kjo mosmarrëveshje. Ministrat e Jashtëm të Venezuelës, Argjentinës dhe Uruguajt kanë thënë para hapjes së takimit se presidentët e tyre nuk do të nënshkruanin komunikatën përmbyllëse nëse Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja nuk hiqnin veton që i kanë vendosur përfshirjes së Kubës në takim.

Presidenti Obama u përpoq të mos u kushtonte rëndësi mospajtimeve, duke thënë se janë thjesht reflektim i së kaluarës.

“Shpesh herë në shtyp, vëmendja që u kushtohet takimeve të tilla ndalet më tepër tek mospajtimet. Nganjëherë këto mospajtime e kanë zanafillën para se të kisha lindur unë. Nganjëherë në disa diskutime, veçanërisht në disa artikuj në shtyp, mbërthehemi në analiza që i takojnë së kaluarës, periudhës së Luftës së Ftohtë. Kjo nuk është bota jonë sot, shpresoj se të gjithë do ta kuptojmë se çfarë mundësie ofron e sotmja. Ne jetojmë në një botë të re dhe duhet të orientohemi nga një mendësi e re”.

Një tjetër temë e nxehtë në këtë takim janë politikat në luftën kundër drogës. Disa vende të Amerikës Latine mbështesin idenë e legalizimit të narkotikëve për ta kontrolluar më mirë këtë treg dhe për të eliminuar botën e krimit që shoqëron trafikun e drogës. Administrata Obama është kundër idesë së legalizimit.

Një zhvillim paralel me takimin ka tërhequr vëmendje këto ditë. Një grup kolumbianësh simpatizantë të Presidentit Obama po përpiqen të gjejnë një mënyrë për t’i bërë presidentit një dhuratë të veçantë: një gomar të veshur me ngjyrat kuq, bardh e blu të flamurit amerikan dhe të quajtur Demo. Ata thonë se e zgjodhën emrin si simbol i Partisë Demokrate të Presidentit Obama. Grupi i simpatizantëve bashkë me Demon ishin mbledhur pranë ndërtesës ku zhvillohej takimi për të përshëndetur autokolonën e Presidentit.

XS
SM
MD
LG