Lidhje

Taktikat e debatueshme policore


Taktikat dhe praktikat e përdorura nga forcat policore kanë ngjallur polemika të forta pas vdekjeve të civilëve të paarmatosur në duart e policisë në qytete si Nju Jorku dhe Fergusoni, në shtetin e Mizurit, ku protestues të shumtë janë përballur me policinë e cila ka përdorur taktika dhe pajisje të stilit ushtarak, përfshi plumbat e gomës dhe gazin lotsjellës. Ajo që kritikët dhe përkrahësit e forcave policore thonë, qëndron në themel të tensioneve mes policisë dhe komuniteteve kryesisht afrikano-amerikane.

Media në Shtetet e Bashkuara është përqëndruar këto ditë në protestat në qytetin Ferguson, të shtetit Mizuri, ku një i ri afrikano-amerikan, i paarmatosur, u vra nga një polic dhe në Nju Jork, ku një i rritur afrikano-amerikan, pa armë, humbi jetën ndërsa po arrestohej se po shiste ilegalisht cigarre.

Imami dhe aktivisti i komunitetit Al Haj Abdur Rashid, president i Këshillit Islamik të Nju Jorkut, thotë se kriza e besimit mes forcave të rendit dhe qytetarëve nuk është diçka e re, ajo e ka zanafillën nga Lufta Civile.

“Kushdo që e ka studiuar historinë e Amerikës, e di se ka patur përherë një problem kombëtar mes agjencive të rendit dhe taktikave të tyre abuzive dhe banorëve me ngjyrë në përgjithësi dhe atyre të varfër në veçanti. Dhe organet e rendit ende nuk e kanë gjetur rrugën e duhur.”

Gjatë dy dekadave të kaluara, e ashtuquajtura teori e “Dritareve të Thyera”, për të ruajtur rendin në komunitet, ka qënë një përpjekje e forcave policore për të gjetur pikërisht “rrugën e duhur”. Sipas kësaj teorie, forcat policore duhet të tregojnë tolerancë zero për krime të vogla, pasi në të kundërt, ato çojnë në krime më të rënda. Megjithatë kritikët thonë se kjo ka çuar në përdorimin e taktikave të ashpra nga policia, që i arreston civilët, në vend t’i paralajamërojë ata, për krime të lehta si hedhje mbeturinash në rrugë, dëgjimi i muzikës me zë të lartë në mjedise publike, ose konsumimi i birrës në publik.

Robert Ganji është drejtor i Projektit për Reformimin e Policisë në Nju Jork. Ai thotë se policia e Nju Jorkut ka kuota për arrestime.

“Ajo që bëjnë oficerët e policisë në një sistem me kuota, është arrestimi, në vend të paralajmërimit, pasi me paralajmërim ata nuk marrin ndonjë vlerësim. Policët, nuk vlerësohen, për shembull, për ndarjen e dy të rrinjve që rrihen. Ata marrin vlerësim vetëm në se i arrestojnë dy të rinjtë nën akuzat për sulm”.

Zoti Ganji shton se stresi në punë dhe frika i bën disa oficerë policie t’i shohin banorët e zonave me krime të larta si individë që mund të shkaktojnë probleme ose si kriminelë, në vend t’i shohin ata si qytetarë, të cilëve e kanë për detyrë t’u shërbejnë. Ky qëndrim shkakton ndjenja të thella pakënaqësie në komunitet, moral të ulët për policët dhe së fundi edhe kritika nga opinioni i gjerë publik.

Maki Haberfeld, është profesore e ligjshmërisë dhe taktikave policore në kolegjin John Jay për Drejtësinë Kriminale në Nju Jork. Ajo thotë se është hipokrizi që banorët ankohen kur policia përdor forcë, ndërsa nga ana tjetër, ata i vlerësojnë përfitimet që sjell forca e ushtruar nga policia. Ajo citon shkrimtarin britanik George Orwell.

“ ‘Njërëzit flenë më qetë gjatë natës, pasi në rrugë patrullojnë disa të fortë që mund të kryejnë dhunë në emër të tyre’. Është e rëndësishme të theksoj se policët nuk janë as gjykatësi dhe as juria. Ata nuk janë atje për të ndëshkuar ata që shkelin ligjin. Por ne duhet të kemi parasysh kontekstin e punës së se policëve, ata përballen me njerëz të dhunshëm, me të kaluar kriminale”.

Zonja Haberfeld e pranon se policët bëjnë gabime në gjykim, disa herë edhe gabime fatale, por ajo shton se fajin e ka mungesa e një standarti kombëtar për policët, se kur duhet përdorur, e kur nuk duhet përdorur forca. Ajo thotë se ky është një dështim i sitemit dhe jo një dështim i policëve individualë.

“Ata nuk kanë mjetet e duhura për të kryer detyrat policore siç duhet”.

Ekspertët citojnë edhe faktorë të tjerë që mund të kontribuojnë në pakënaqësinë e tanishme që banorët e shumë komuniteteve me popullsi pakice po manifestojnë ndaj policisë. Mes tyre përfshihet varfëria, mungesa e edukimit dhe mungesa e mundësive ekonomike. Por cilido qoftë shkaku i pakënaqësive të krizës së fundit të besimit mes komunitetit dhe policisë, thellësia dhe rreziku që paraqet ky problem po bëhet më se i qartë për të gjithë.

XS
SM
MD
LG