Lidhje

Talebanët zotohen për hakmarrje pas vrasjes së 16 civilëve


Talebanët janë zotuar të hakmerren për vrasjen e 16 civilëve shumica gra dhe fëmijë, për të cilën akuzohet një ushtar amerikan. Madje ata thanë se do të hakmerren për vdekjen e çdo afgani të vrarë nga “amerikanët e egër”.

Një toger i ushtrisë amerikane hapi zjarr kundër fshatarëve në jug të Afganistanit dje në mëngjes, në provincën Panjuai të Kandaharit. Fshtarët thanë se ushtari i vuri zjarrin disa prej trupave. Vrasjet u përshkruan si mizoritë më të rënda të kryera nga forcat amerikane gjatë luftës 10 vjeçare në Afganistan dhe ato ndodhin ndërkohë që janë shtuar tensionet mes Uashingtonit dhe Kabulit.

Forcat amerikane i shtuan masat e sigurisë sot, ndërsa ambasada amerikane i paralajmëroi qytetarët amerikanë në Afganistan për mundësinë e akteve hakmarrëse. Parlamenti afgan i dënoi vrasjet, duke i bërë thirrje Shteteve të Bashkuara t’i dënojnë fajtorët dhe t’i nxjerrin ata para drejtësisë. Viktimat në radhët e civilëve kanë qenë vazhdimisht një pikë fërkimi mes Uashingtonit dhe Kabulit.

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, tha se të shtënat ishin të qëllimshme për të vrarë civilë të pafajshëm dhe nuk mund të falen. Ai kërkoi shpjegime nga Shtetet e Bashkuara, duke dhënë se nëntë fëmijë dhe tri gra ishin mes viktimave.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i telefonoi udhëheqësit afgan për t’i shprehur tronditjen dhe keqardhjen e tij të thellë për incidentin. Ai ngushëlloi popullin e Afganistanit dhe tha se mbështet thirrje e sekretarit tëMbrojtjes, Leon Paneta, për një hetim të shpejtë dhe për të mbajtur përgjegjës çdo kënd që është përgjegjës.

XS
SM
MD
LG