Lidhje

Shqipëri, ecuria e ndërtimit të gazsjellësit TAP


Dimri i vështirë në Shqipëri në disa zona ku kalon gjurma e gazësjellësit Trans Adriatik, TAP, duket se nuk e ka cënuar ecurinë e punimeve. Burime zyrtare të kompanisë kanë pohuar se në këto tre rajone kanë përfunduar plotësisht punimet e fazës së parë të rrugëve dhe urave ndihmëse.

Në të tre zonat janë rindërtuar me financimin e projektit, rreth 58 km rrugë, 2 ura të reja dhe janë rehabilituar 40 ura ekzistuese. Faza e dytë e punimeve, që përfshin rehabilitimin e rreth 120 km rrugë, pritet të nisë nga një kompani shqiptare.

Megjithë reshjet e dëborës në disa zona dhe pasojat e shirave, kompania ka arritur të pastrojë rreth 57 km të korridorit të kalimit përgjatë ttugës ku kalon gazsjellësi, ndërkohë që janë shtruar 54 km tuba dhe 45 km prej tyre tashmë janë salduar.

Kompania ka ndihmuar në sfidat e dimrit edhe njësitë vendore, kryesisht me zhbllokime rrugësh të zëna nga dëbora dhe ndihma për familjet e varfra.

Kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo ka vlerësuar ndihmën me ushqime për 300 familje në nevojë në këtë bashki. Në total sipas kompanisë, kjo ndihmë do të jetë për rreth 6000 familje në nevojë për Bashkitë e Fierit, Roskovecit, Lushnjës, Beratit, Urës Vajgurore, Skraparit, Poliçanit, Korçës, Devollit dhe Maliqit, zona ku kalon gazsjellësi.

Punimet për ndërtimin e gazsjellësit TAP nisën në gusht të vitit 2015 në Shqipëri dhe në maj 2016 filloi ndërtimi i tubacionit dhe instalimeve mbi tokë.

Në fund të këtij viti pritet fillimi i ndërtimeve për pjesën detare, nënujore të gazsjellësit dhe në fund të vitit 2019 përfundon ndërtimi dhe kryhen testimet.

Aktualisht, më shumë se 1.800 punonjës janë angazhuar për projektin TAP në Shqipëri, nga të cilët rreth 87% e tyre janë shqiptarë.

Gazsjellësi TAP është pjesa evropiane e korridorit jugor të gazit, që do të transportojë gazin natyror nga fusha gazmbajtëse e Shah Deniz II në Azerbaxhan, drejt Evropës.

Në territorin shqiptar rrjeti i gazësjellësit përshkon 250 km. Në Shqipëri pritet të investohen afërsisht 1.5 miliardë euro, që përfshin kostot e tubave dhe gjithë pajisjeve e makinerive të nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit.

XS
SM
MD
LG