Lidhje

Kina njofton planet për tarifa mbi produktet amerikane


Kina njoftoi sot se ka në plan të vendosë tarifa me një vlerë prej 50 miliardë dollarësh ndaj prodhimeve amerikane si kundërpërgjigje ndaj një vendimi të ngjashëm të njoftuar nga Shtetet e Bashkuara.

Masat kineze do të rrisin tarifat me 25 për qind për 106 prodhime amerikane, përfshirë sojën, avionët dhe makinat.

Ministria kineze e Tregtisë u përgjigj me masat e saj pas më pak se njëmbëdhjetë orësh pasi Shtetet e Bashkura nxorrën një listë me mallrat kineze për të cilat propozohet rritja e tarifave. Ministria tha se tarifat tregëtare do të hyjnë në fuqi në momentin që do të fillojnë të zbatohen tarifat e reja amerikane.

Presidenti amerikan Donald Trump e njoftoi synimin e tij për të vendosur tarifa me vlerë 50 miliardë dollarë për prodhimet kineze, muajin e kaluar. Dje autoritetet amerikane publikuan një listë me 1 mijë e 300 prodhime kineze të propozuara për rritje tarifash, ku përfshihen artikuj të industrisë hapësinore, mjekësisë dhe teknologjisë së informacionit.

Lista do t'i nënshtrohet një procesi shqyrtimi publik të planifikuar të vazhdojë deri në fund të majit.

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Kinën se ka ushtrua presion ndaj kompanive të huaja që t’i dorëzojnë informacionet mbi teknologjinë e prodhimit.

Mosmarrëveshjet mes SHBA-së dhe Kinës kanë nxitur shqetësimet se mund të bëhen pengesë për një rimëkëmbje ekonomike globale, nëse edhe vende të tjera ngrenë tarifat e importit.

Perspektiva e një lufte tregtare ndërmjet dy ekonomive më të mëdha në botë ka shqetësuar gjithashtu investitorët e tregut të aksioneve. Tregjet e amerikane të aksioneve ranë sot ndjeshëm si pasojë e njoftimit të tarifave të ndërsjella.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG