Lidhje

Teknologji e re për të shmangur trafikun


Programi për telefonat inteligjentë ClearPath përdor të dhënat e trafikut të rreth dy vjetëve të fundit në Los Anxhelos

Në qytete anembanë botës, shumë udhëtarë kalojnë një kohë të gjatë të bllokuar me automjetet e tyre në trafik. Në Shtetet e Bashkuara, Los Anxhelos dhe San Francisco kanë trafikun më problematik dhe bashkë me Uashingtonin kryesojnë renditjen e Institutit të Transportit A&M të Teksasit lidhur me këtë çështje. Disa shoferë varen nga sistemet satelitore të orientimit, GPS, për të shmangur bllokimin në trafik dhe materiali në vazhdim na njeh me një teknologji të re në këtë fushë.

Në Los Anxhelos, mesatarisht, një shofer shpenzon rreth 61 orë në vit në rrugë, i bllokuar në trafik.

"Është një burg makinash."

"Ka shumë makina, nuk lëvizet lehtë."


"Irritohem shumë. Kur trafiku është me të vërtetë keq, dëgjoj muzikë ose merrem me diçka tjetër, në përpjekje për të kaluar kohën."

Profesor Cyrus Shahabi e njeh mirë bllokimin në trafik. Ai jeton më shumë se 65 kilometra larg nga zyra e tij në Universitetin e Kalifornisë Jugore, në Los Anxhelos. Atij i duket sikur është gjithmonë me vonesë.

"Sa herë që shkoja në një takim, thoja se kisha mbetur në trafik. Kjo tingëllonte më shumë si një justifikim sesa mund të dukej e vërtetë."


Kjo ndodhte edhe duke përdorur sistemet e orientimit.


Profesor Shahabi dhe studenti i tij i doktoraturës, Ugur Demiryurek, vendosën të krijojnë një program për telefonat celularë që kryen një shërbim ndryshe nga të tjerët. Programi quhet ClearPath.

"Kurrë nuk do të mendoja se puna ime për doktoraturën do të bëhej një produkt për njerëzit."

"Ajo që është unike është se ne shfrytëzojmë një sasi të madhe të të dhënave që mund të zotërohen, duke përfshirë të dhënat e trafikut apo të dhënat e motit dhe i analizojmë ato, duke qenë në gjendje të parashikojmë se çfarë do të ndodhë para se të largoheni nga shtëpia."


Programi ClearPath përdor të dhënat e trafikut të rreth dy vjetëve të fundit, duke përfshirë informacionin e 9 mijë sensorëve të rrugëve në Los Anxhelos. Sensorët mbledhin informacion mbi shpejtësinë dhe rrjedhën e trafikut çdo herë që një makinë kalon mbi ta. Programi ClearPath gjithashtu përdor informacionet mbi aksidentet e fundit dhe llogarit trajektoren më të mirë.

"Nëse jeni duke udhëtuar me makinë dhe 20 minuta më parë ka ndodhur një aksident gjatë rrugës suaj, ne përdorim të dhënat historike për të parë nëse gjëja më e mirë është të sugjerojmë që të zgjidhni po atë trajektore. Kjo ndodh kur prej të dhënave të së shkuarës mund të llogaritet se deri sa ju të mbërrini në vendngjarje rruga e bllokuar prej aksidentit mund të jetë liruar."


Profesor Shahabi thotë se ClearPath analizon të gjitha rrugët, duke përfshirë si rrugët dytësore ahtu dhe autostradat. Sisteme të tjera, si Google Maps nuk e bëjnë një gjë të tillë.

"Kur ndodheni në autostradë, ato sisteme nuk marrin parasysh rrugët dytësore. Ato shohin vetëm alternativat mes autostradave deri sa të mbërrini në destinacionin. Vetëm atëherë ata konsiderojnë sërish rrugët dytësore."


Zoti Demiryurek thotë se ata do të hedhin në treg programin falas ClearPath për Los Anxhelosin brenda dy muajve.
Në një vit, ata kanë si qëllim që ClearPath të mund të përdoret në të gjithë vendin si dhe jashtë tij, pasi ata të mund të mbledhin të dhënat e trafikut për qytete të tjera.

"Kam menduar gjithmonë se Los Anxhelosi kishte trafikun më të keq, por tani e di që qytete si Shangai, Pekini, Seuli, Tokio, Singapori dhe Hong Kongu janë vende që menjëherë do të përdornin këtë program."


Profesor Shahabi shpreson të licencojë këtë teknologji të re për firmat të cilat tashmë kanë sisteme orientimi, si Google dhe Apple.

XS
SM
MD
LG