Lidhje

Teknologjia shpëton gjuhët e rrezikuara nga zhdukja


Në botën tonë të ndërlidhur, gjuhët globale si gjuha angleze, spanjolle dhe kineze janë duke rritur dominimin. Por ekzistojnë rreth 7 mijë gjuhë tjera që fliten në botë, dhe gjuhëtarët parashikojnë se gjysma e tyre janë në rrezik nga zhdukja deri në fund të këtij shekulli. Sipas këtij parashikimi, i bie që çdo dy javë të zhduket nga një gjuhë. Disa mbrojtës të gjuhëve të rrezikuara nga zhdukja kanë arritur në përfundimin se teknologjia mund të jetë miku dhe armiku i këtyre gjuhëve. Tom Banse sjell hollësitë.

Anëtarët e fisit Siletz në brigjet e Oregonit janë krenarë me gjuhën e tyre për të cilën ata thonë se “është e vjetër sa vetë koha”. Por sot, mund të numërosh me gishtat e një dore njerëzit që flasin këtë gjuhë. Bud Lane është njëri prej tyre.

“Kemi patur gjuhëtarë të cilët kanë bërë vlerësimin e njerëzve dhe të gjuhës sonë. Ata e klasifikuan gjuhën tonë si një nga ato që po shkon drejt zhdukjes”.

Këshilli i fisit Siletz ishte i vendosur të mos e lejojë këtë. Zoti Lane e kuptoi se ai kishte nevojë për ndihmë nga jashtë për të ringjallur gjuhën e fisit Siletz. Prandaj, disa studiues të revistës National Geographic e ndihmuan atë të mbajë shënime për 14 mijë fjalë dhe fraza të gjuhës së tij.

“Le të vallëzojmë përjashta: ch’ee-naa-svt-nit-dash”.

Shumë fjalë të kësaj gjuhe përshkruajnë ushqimet dhe thurrjen e koshave që tregon se si gjuha gërshëtohet me kulturën.

Përkthimet e fjalëve tani janë publikuar në internet së bashku me një plan mësimi që quhet “takling dictionary” ose “fjalor me zë”. Faqja e internetit ku gjendet fjalori është ndërtuar nga Kolegji Swarthmore në Pensilvani. Atje, profesori i gjuhëve David Harrison ka publikuar fjalorë edhe për 7 gjuhët tjera nga gjithë bota të cilat rrezikohen nga zhdukja.

“Kjo është ana tjetër e globalizimit, ose ana pozitive e globalizimit. Flitet shumë se si globalizimi ushtron trysni negative mbi kulturat e vogla për t’u asimiluar”.

Por zoti Harrison thotë se aktivistët e gjuhëve mund të përdorin mjetet moderne dixhitale përfshirë I-Phonët, videot në YouTube dhe Facebook-un për të ruajtur gjuhët që rrezikohen nga zhdukja.

Zoti Harrison dhe një koleg i tij në Oregon kanë krijuar një hartë për gjuhët e rrëzikuara të fiseve të vjetra. Në mesin e territoreve ku këto gjuhë i rrezikohen zhdukjes janë Paqësori Veripërëndimor, rajonet pranë lumit Amazon, në Siberi dhe në Australinë veriore.

Në veri të Kanadasë, Inuitët po luftojnë për të ruajtur gjuhën e tyre autoktone. Pjesë e strategjisë së tyre është të kërkojnë ndihmë nga Mikrosofti për të ndihmuar përkthimin e sistemit operativ Windows dhe programeve tjera kompjuterike në gjuhën e tyre.

Drejtuesi i këtij projekti Gavin Nesbitt thotë se grupet të cilat janë marrë me përkthimin e këtyre programeve kanë shpikur fjalë të reja për të zëvendësuar komandat në Windows dhe Microsotft Word. Ai thotë se kjo përpjekje ishte me vlerë.

“Shumë njerëz shpenzojnë gjithë ditën para kompjuterit. Nëse operacionet e kompjuterit janë në gjuhën angleze, përdorimi i tij e forcon anglishten e personit që përdor komjuterin. Por nëse kompjuteri është i pajisur me gjuhën Inuktiut atëherë kjo ndihmon në mësimin e asaj gjuhe”.

Për këtë arsye, Mikrosofti ka punuar edhe me aktivistët për ruajtjen e gjuhëve në Zelandën e Re, Spanjë dhe Uells për të përkthyer programet kompjuterike në gjuhët përkatëse të këtyre vendeve. Në Oregon mësuesi i gjuhës Siletz Bud Lane paralajmëron se vetëm teknologjia nuk mund të shpëtojë gjuhët që i rrezikohen zhdukjes.

“Asgjë nuk mund të zëvendësojë zhvillimin e bisedave dhe komunikimin e drejtpërdrejtë mes njerëzve që mësojnë gjuhën. Por, kjo ngushton boshllëkun e krijuar në komunitetin dhe fisin tonë”.

Zoti Lane vë në dukje se ka shenja që kjo është në favor të njerëzve të tij. Të rinjtë në komunitetin e tij kanë filluar të dërgojnë mesazhe përmes telefonit në gjuhën Siletz.

XS
SM
MD
LG