Lidhje

Teksas, reagime ndaj retorikës kundër emigrantëve


Edhe pse një karvan emigrantësh nga Amerikës Qendrore që po ikin nga dhuna dhe varfëria ekstreme ndodhet qindra kilometra larg kufirit SHBA-Meksikë, Presidenti Trump ka filluar dislokimin e më shumë se 7,000 trupave në përgatitje të mbërritjes së tyre. Në El Paso, një nga destinacionet e mundshme të azil-kërkuesve, banorët pranë zonës kufitare theksojnë dallimin mes asaj që duket dhe realitetit.

Është shumë herët të parashikohet se ku do të përfundojë karvani i disa mijëra emigrantëve. Por afrimi i zgjedhjeve për Kongresin dhe dislokimi i trupave përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, ka tërhequr banorët e Teksasit në debatin mbi emigrantët.

"Mendoj se jemi mirëseardhës ndaj të tjerëve, dhe kjo është ajo që më pëlqen në lidhje me El Pason", thotë Melanie Garcia, banore e qytetit të El Pasos.

Lidhjet familjare dhe kulturore bashkojnë banorët e Teksasit perëndimor, Nju Meksikos, dhe Siudad Huarezit, në Meksikë. Një meshë vjetore në kufirin ku takohen këto komunitete u mbajt në kujtim të atyre që humbën jetën në përpjekjet për gjetur strehim. Banorët këtu thonë se do të jenë të përgatitur, nëse karvani do të mbërrinte në qytetin e tyre.

"Ata po përgatisin qendra strehimore dhe njerëzit po ofrojnë mbështetje duke dhuruar ushqime, veshje dhe tunikë, sepse stina e ftohtë po vjen", thotë gazetari Luis Torres nga rajoni i Huarezit në Meksikë.

"Ne e dimë se si ata jetojnë atje dhe çfarë po përjetojnë, prandaj kur i marrim këtu, ne i ndihmojmë ata", thotë Marco Raposo nga Dioqeza katolike e El Pasos.

El Paso është një nga qytetet më të sigurta në Teksas dhe i shtati në mbarë Shtetet e Bashkuara.(https://www.safewise.com/blog/safest-metro-cities/). Megjithëse El Paso është një bastion i demokratëve, banorët e tij që mbështesin përpjekjet e Presidentit Trump për të forcuar kufirin dhe për të penguar arritjen e karvanit në territorin e amerikan, përdorin argumentet e ngjashme të vijës së ashpër ndaj emigracionit si ata në rajone të tjera të vendit.

"Nëse janë 7,000 vetë, çfarë i pengon ata të sjellin 7,000 ose 14 mijë njerëz të tjerë. Duhet të marrim një qëndrim mbi atë se ku dhe si duam t'i lejojmë njerëzit të hyjnë në vend ".

Presidenti Trump ka përdorur si arsyetim sigurinë kombëtare në përshkrimin e karvanit të azil-kërkuesve të mundshëm që po udhëton përmes rajonit të rrezikshëm të Verakruzit në Meksikë. Por disa banorë të El Pasos i quajnë veprimet e Presidentit dhe retorikën e tij si një përpjekje për të zhvendosur fokusin në zgjedhjet për kongres, që nëse fitohen nga demokratët mund të kufizojnë axhendën e tij.

"Nëse dy vendet, dy fqinjët nuk bashkëpunojnë për të zgjidhur problemin së bashku, problemi nuk do të zgjidhet. Fyerjet, ngritja e gardheve dhe gjëra të tjera të kësaj natyre nuk ndihmojnë në trajtimin e kësaj çështjeje", thotë Othon Medina, banor i El Pasos.

Anna Perez, anëtare fisit Ysleta del Sur Pueblo të indianëve të Amerikës, në Teksas, përmend historinë e gjatë të entitetit të saj sovran.

"Fisi ynë, por edhe shumë entitete të tjera të indianëve të Amerikës, janë keqtrajtuar për shekuj me radhë. Kemi qenë këtu në këtë tokë për më shumë se 300 vjet, prandaj, përse do të ndihemi të kërcënuar nga dikush tjetër?", thotë ajo.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG