Lidhje

Tensionohet më tej situata në Ukrainë


Dhuna shpërtheu përsëri në Ukrainë sot paradite, vetëm disa orë pasi udhëheqësit e opozitës kërcënuan për t’i intensifikuar protestat në se presidenti Viktor Yanukovych nuk plotëson brenda 24 orësh kërkesën e tyre për të shpallur zgjedhje të reja.
Ultimatumi i opozitës vjen një ditë pasi autoritetet thanë se tre protestues u vranë në përleshje me policinë – dy prej tyre nga armët e zjarrit, ndërsa i treti ngaqë u rrëzua.
Disa demonstrues thanë se policia po reagonte më ashpër se ç’duhet ndaj demonstratave.
"Ne po ngremë barrikada për të mbrojtur njerëzit tanë që po zhvillojnë një protestë jo të dhunshme. Forcat speciale po veprojnë në ekstrem kundër qytetarëve paqësorë. "
Udhëheqësit e opozitës u kanë bërë thirrje demonstruesve të qëndrojnë larg akteve të dhunshme, ndërsa ata presin një përgjigje nga presidenti për kërkesën e tyre të fundit.
Uashingtoni e ka dënuar dhunën dhe administrata e presidentit Obama po shqyrton mundësinë e sanksioneve kundër qeverisë.
"Ne i bëjmë thirrje, vazhdojmë t’i bëjmë thirrje presidentit Yanukovych dhe qeverisë së tij, të mbrojë të drejtat demokratike për të gjithë ukrainasit, përfshi të drejtën për protesta paqësore, dhe nëse do të na duhet të marrim hapa të tjerë, do t’i ndërmarrin. "
Demonstratat filluan në nëntor, pasi presidenti Yanukovych nuk nënshkroi një marrëveshje tregëtare me Bashkimin Evropian në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë.
Debati mbi drejtimin e që do të marrë Ukraina në të ardhmen, në lindje drejt Rusisë, apo në përëndim drejt Evropës, e kanë përçarë vendin, thotë Orysia Lutsevych me organizatën Chatham House në Londër.
“Kjo do të përcaktohet nga ajo pjesë e popullatës që është më e vendosur për të ardhmen. Dhe sipas vëzhgimeve të mia, pjesa e popullatës që është për drejtimin nga lindja, deri tani ka qënë më shumë një vëzhguese pasive.”
Presidenti i Komisionit Europian, José Manuel Barroso, paralajmëroi Ukrainën t’i jap fund shtypjeve të dhunshme.
"Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër këto zhvillime, si dhe të vlerësojmë veprimet e mundshme nga Bashkimi Evropian, si dhe pasojat për marrëdhënien tonë me atë vend."
Rusia ka akuzuar BE-në dhe Shtetet e Bashkuara se po ndërhyn në punët e brendshme të Ukrainës.
Duke sfiduar ligjet e reja, mijëra protestues filluan të rigrupohen në Sheshin e Pavarësisë në Kiev dje në mbrëmje, mes tyre, Andrei Avramenko.
Ai thotë se – nëse protestuesit humbasin çdo gjë do të jetë edhe më keq. Kështu që duhet të mbajmë qëndrimin tonë.
Analistët thonë se vrasjet shënojnë një kapitull të ri në krizën e thelluar politike të Ukrainës , ndërsa asnjëra palë nuk duket e gatshme të bëjë lëshime.
XS
SM
MD
LG