Lidhje

Tensione të reja Japoni – Kinë rreth disa ishujve


Kina iu kundër-përgjigj sot një paralajmëri të Tokios, vetëm disa orë pasi Japonia u zotua për të mbrojtur territorin e saj pas kalimit të një anije detare kineze në afërsi të ishujve të pretenduar nga të dy vendet.

Ministria e Mbrojtjes e Japonisë thotë se një anije kineze ishte parë duke hyrë në një zonë strategjike në verilindje të ishullit Kuba, pjesë e ishujve të njohur si Senkaku në Japoni dhe Diaoyu në Kinë.

Kryesekretari i Kabinetit, Yoshihide Suga u tha gazetarëve në Tokio se Japonia do të mbrojë ishujt Senkaku "me çdo mjet" dhe kritikoi Kinën për "përshkallëzimin e njëanshëm të tensioneve."

Por, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Pekin tha se Kina ka çdo të drejtë për të lundruar në ato ujëra.

Zyrtarët japonezë thonë se kryeministri Shinzo Abe ka udhëzuar qeverinë e tij për të koordinuar veprimet me Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera në lidhje me incidentin.

Ishujt e pabanuar pretendohen nga Kina dhe Tajvani, por kontrollohen nga Tokio.

Ishujt janë në një pozitë strategjike të rëndësishme në rrugët detare, si dhe zona të lakmueshme peshkimi dhe pranë rezervave të mundshme të naftës dhe gazit.

XS
SM
MD
LG