Lidhje

Tërmet i fuqishëm në brigjet e Japonisë


Një tërmet i fuqishëm goditi sot brigjet verilindore të Japonisë, në zonën ku ra tërmeti pasuar nga cunami vitin e kaluar. Ndërtesat e Tokios u lëkundën për disa minuta, qytete bregdetare njoftuan për cunami të lehta dhe disa njerëz duket se janë plagosur.

Tërmeti kishte një magnitudë fillestare prej 7.3 dhe goditi në Oqeanin Paqësor në brigjet e prefekturës së Miyagit në orën 5:18 pasdite, tha Agjencia Meteorologjike e Japonisë.

Epiqendra ishte 10 kilometra nën sipërfaqen e detit dhe 240 kilometra nga bregu. Zona përreth u trondit nga paslëkundje të përsëritura, më të vogla, tha agjencia.

Pas tërmetit, autoritetet nxorrën një paralajmërim se një cunami që mund të arrijë lartësinë deri në dy metra mund të godiste. Ishinomaki, një qytet në Miyagi njoftoi se një cunami i lartë një metër goditi në orën 6:02 pasdite. Qytete të tjera njoftuan për cunami më të lehtë. Rreth dy orë pas tërmetit, paralajmërimi i cunamit u anullua.

Policia e prefekturës së Miyagit tha se nuk kishte njoftime të menjëherëshme për dëme nga tërmeti ose cunami, megjithëse trafiku u ndal në disa zona për të kontrolluar rrugët.

Sirenat ranë përgjatë brigjeve ndërsa njerëzit përpiqeshin të gjenin zona të ngritura, por Qendra e Paqësorit për Paralajmërimin e Cunameve tha se nuk kishte rrezik për përhapjen e cunamit.

Një grua 75 vjeçare u rrëzua dhe u lëndua nga cunami, njoftoi një televizion lokal. I njëjti televizion tha se një fëmijë u plagos në qytetin Sendai të Miyagit. Policia e Miyagit tha se nuk mund t’i konfirmonte këto raporte.

Tërmeti prej 9 ballësh dhe cunami që pasoi në Japoninë verilindore më 11 mars 2011, shkaktoi vdekjen ose zhdukjen e rreth 19 mijë vetëve, duke shkatërruar pjesën më të madhe të bregut.

Përveç dy komplekseve bërthamore, pothuajse të gjithë të tjerët u mbyllën, në katastrofën më të rëndë që nga Çernobili i vitit 1986. Pas tërmetit të sotëm nuk ka pasur ndonjë problem në komplekset bërthamore.
XS
SM
MD
LG