Lidhje

SHBA: Ekspertët flasin për mbrojtjen nga sulmet terroriste


Ekspertët e sigurisë thonë se amerikanët janë më të sigurt nga terrorizmi por jo plotësisht të mbrojtur nga sulmet terroriste si ai në Boston

Ekspertët e sigurisë thonë se amerikanët janë më të sigurt nga terrorizmi që pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, në të cilat u vranë gati 3 mijë njerëz. Megjithatë, ata thonë se shpërthimet vdekjeprurëse në maratonën e Bostonit kanë vënë në pah vështirësinë e mbrojtjes së njerëzve ndaj sulmuesve të cilët janë të vendosur të vrasin civilë.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, forcat e sigurisë kanë bërë përparime të mëdha në mbrojtjen e civilëve, thonë ekspertët.

Dhjetra komplote janë parandaluar, zakonisht para se të rrezikonin publikun.

“Nëse shtrohet pyetja, a është Amerika një objektiv më i vështirë për terrorizmin ndërkombëtar se sa para 11 shtatorit 2001, përgjigja është po”.

James Carafano është ekspert i sigurisë në Fondacioninin Heritage.

“Shumica e suksesit është e bazuar në punën e mirë të shërbimeve të zbulimit, përpjekjeve të mira proaktive kundër terrorizmit, identifikimin e njerëzve të cilët janë të interesuar të kryejnë akte dhune, infiltrimi brenda këtyre grupeve të njerëzve dhe marrja e informacioneve rreth tyre para se ata të përbëjnë një kërcënim”.

Zoti Carafano thotë se ky sukses është arritur pjesërisht falë ndryshimit të FBI-së nga një agjenci e zbatimit të ligjit kombëtar në një organizatë që i ka dhënë përparësi të lartë luftës kundër terrorizmit.

Ai gjithashtu thotë se Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka përmirësuar ndjeshëm sigurinë e aeroporteve dhe kufijve të vendit.

Por shpërthimet në maratonën e Bostonit tregojnë se sa e vështirë është mbrojtja e publikut nga të gjitha sulmet.

Michael O’Hanlon është analist në Institutin Brookings.

"Mendoj se duhet të pranohet se nganjëherë ky lloj sulmi do të jetë i mundur. Vitet e fundit, kemi pasur një numër rastesh, në të cilat sulmuesit kanë qenë afër realizimit të sulmeve”.

Sulmi i fundit terrorist ndodhi në vitin 2009 kur Majori i ushtrisë Nidal Hassan vrau 13 njerëz në Fort Hood të Teksas. Ai kishte lidhje me al-Kaidën në Gadishullin Arabik.

Por një numër komplotesh për sulme me bomba kanë dështuar ose janë parandaluar.
Disa muaj pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, Richard Reid nuk arriti të aktivizonte një bombë të vendosur në këpucë në një avion udhëtarësh.

Në ditën e Krishtlindjeve të vitit 2009, Umar Farouk Abdulmutallab dështoi në përpjekjet për të aktivizuar eksplozivët që kishte vënë në trup gjatë një fluturim drejt Detroitit.

Në të njejtin vit autoritetet arrestuan një emigrant afgan nën dyshimet për organizimin e një komploti për sulm me bombë në metronë e Nju Jorkut.

Para 3 vjetësh, sheshi Times Square në Nju Jorkut u evakua pas zbulimit të një makine bombë.

Ndërkohë që analistët thonë se zyrtarët kanë mësuar si të mbrojnë njerëzit në tubime të mëdha publike, ekziston një kufij mes asaj që është praktike dhe asaj që është e efektshme.

“Ata ndoshta nuk mund ta ndalojnë medoemos një sulmues të vendosur. Në të vërtetë duhet të mbështetesh tek identifikimi dhe gjetja e personit para se ta parandalosh atë”.

Sipas zyrtarëve të anti-terrorizmit, ata duhet të jenë të saktë gjithnjë, ndërkohë që terroristët duhet të kenë sukses vetëm një herë për të realizuar qëllimin e tyre.
XS
SM
MD
LG