Lidhje

Ana (jo aq) e errët në luftën kundër Boko Haramit


Pas shumë vitesh konflikti me grupin kryengritës të Boko Haramit, si ia del të vazhdojë përpara një vend si Nigeria? Mariama Diallo tregon në një dokumentar të saporealizuar nga “Zëri i Amerikës” në bashkëpunim me Creative Associates International se si nisi konflikti dhe cilat janë pasojat e tij në jetën e nigerianëve. Pavarësisht të gjithave, njerëzit kanë jetët e tyre, një anë tjetër e medaljes që tregohet në këtë dokumentar. Fati Abubakar është një ndër personazhet... Ajo punon si specialiste komunikimi e UNICEF-it në Shtetin e Bornos dhe përpiqet t’i tregojë botës, përmes fotove dhe historive njerëzore që i boton në një blog, se edhe në këtë rajon të mbajtur peng nga terroristët, ka jetë...

Konflikti me Boko Haram-in e bën Nigerinë Verilindore një vend të errët, të rrezikshëm, të pushtuar nga vuajtjet dhe në nevojë.

Pak pasi u kthye në shtëpinë e saj, në Maiduguri të Bornos, Fati Abubakar u angazhua ta ndryshonte këtë imazh negativ të vendit të saj... E “armatosur” thjesht me një aparat fotografik.

“Na bombardojnë me pamjet e trupave të pajetë të njerëzve nëpër rrugë, gërmadhat e mbetura nga shpërthimet e bombave, fëmijët në spitale... na bëjnë të mendojmë se në këtë konflikt nuk ka të mbijetuar. Ka histori njerëzore, të cilat mendoj se janë të nënvlerësuara. Doja që të kuptohet se vërtetë njerëzit në Shtetin e Bornos luftojnë, por gjithsesi jeta vazhdon edhe për ata”.

Fati i boton fotografitë në “Bits of Borno”, një faqe interneti që e ka krijuar ajo vetë.

Kjo hapësirë është kthyer në një burim frymëzimi e përtëritjeje për shumë njerëz që e ndjekin.

Abubakar ka mbi shtatë mijë ndjekës në faqen e Facebook-ut dhe nëntë mijë në atë të Instagram-it, ku shpaloset një anë tjetër e Shtetit të Bornos.

“Përpiqem të jem sa më gjithëpërfshirëse kur rregoj historinë e Bornos. Bëj çmos që të dokumentoj të gjitha tributë në komunitet dhe që historia ime të përfaqësojë Shtetin e Bornos denjësisht. Fisi Shuwa është perfekt për këtë, pasi është shumë i bukur dhe plot ngjyra”.

“Portretet që realizoj janë përfaqësuese për Bornon. Këtyre personazheve u bëj më pas pyetje për jetën e tyre. Reaizoj shumë intervista, pastaj i zbardh dhe fotografitë në rrjetet sociale i shoqëroj me rrëfimet e njerëzve”.

Fati punon si specialiste komunikimi për UNICEF-in.

Teksa punon për krizën humanitare në verilindje, Abubakar është në kërkim të çasteve të dhembshurisë dhe dashurisë.

Fati ka udhëtuar në zona ku lufta ka lënë gjurmë, por ajo përpiqet të shikojë më në thellësi të realitetit, për të dokumentuar se si njerëzit i kanë mbijetuar konfliktit.

“Nga kjo kam kuptuar se edhe në mes të mjerimit, njerëzit janë të aftë të bëjnë përpara. Ata nuk ndalen përpara një shpërthimi bombe. Përqendrohem te fëmijët, pasi ata edhe në gjendje shumë të vështirë nuk e humbasin gjallërinë dhe kjo më motivon...”.

“Fotografoj fëmijë që jetojnë në rrugë dhe shumë të tjerë, të cilët i fshihen Boko Haramit”.

Ata i gjen kryesisht në breg të lumit ose poshtë urës, të braktisur dhe vetëm... kanë një përvojë traumatike. Do doja të kishin një të ardhme të ndritur, por jam e vetdijshme se kjo është e vështirë.

Përmes punës sime, dua t’u tregoj njerëzve se, Boko Harami përfaqëson një përqindje të vogël, ndërkohë që shumica e njerëzve në Shtetin e Bornos janë të dashur, paqësorë, mikpritës dhe të zgjuar”.

“Jemi si çdo nigerian tjetër dhe duam thjesht të jetojmë jetën tonë”.

Që Nigeria t’i shërojë plagët e luftës, duhet që vendi fillimisht të përtërijë lidhjet e forta njerëzore.

Dhe përmes fotografive të saj, Fati po e nxjerr përherë e më në pah këtë anë njerëzore të Shtetit të Bornos.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG