Lidhje

SHBA: Zgjedhjet vendore përfundojnë pa të papritura


McAuliffe, Christie fitojnë në Virxhinia dhe Nju Xhersi. Në Nju Jork votuesit zgjodhën demokratin Bill de Blasio si kryetarin bashkie

Votuesit në mbarë Shtetet e Bashkuara hodhën dje votën në disa zgjedhje të rëndësishme, që mund të kenë pasoja për zgjedhjet në Kongres të vitit të ardhshëm dhe për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Në shtetin verilindor të Nju Xhërsit, guvernatori republikan, Chris Christie fitoi me lehtësi një mandat të dytë ndaj rivales së tij demokrate, senatores së shtetit, Barbara Buono. Zoti Christie konsiderohet si një kandidat kryesor republikan për në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, veçanërisht që kur mirëpriti Presidentin Barack Obama në Nju Xhërsi pas stuhisë së fuqishme Sandy që goditi vjet bregdetin lindor të Shteteve të Bashkuara.

Guvernatori Christie u tha mbrëmë përkrahësve se fitorja e tij duhet të shërbejë si mësim për ligjvënësit në Uashington.

“Unë e di se sonte një Amerikë e shkurajuar, e zemëruar me qeverinë e vet jofunksionale në Uashington shikon nga Nju Xhërsi dhe thotë 'A ndodhi me të vërtetë ajo që menduam se do të ndodhte? A po bashkohen me të vërtetë njerëzit, a po punojnë së bashku afrikano-amerikanët me hispanikët, banorët e qytetit me ata të rrethinave, fermerët me mësuesit. A po punojmë ne me të vërtetë së bashku?' Dua t’i përgjigjem kujtdo që po shikon sonte: nën qeverisjen time, puna kryesore është të bëjmë realitet punën e filluar dhe për sa kohë që unë jam guvernator kjo punë gjithnjë do të përfundohet”.

Edhe shteti i Virxhinias mbajti zgjedhjet për guvernator. Demokrati Terry McAuliffe fitoi me një rezultat tepër të ngushtë ndaj Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit, republikanit Ken Cuccinelli, i cili gëzonte mbështetjen e grupimit ultrakonservator, Tea Party. Ai është gjithashtu një kundërshtar i vendosur i ligjit të kujdesit shëndetsor të presidentit Obama.

Analisti demokrat, Tad Devine thotë se refuzimi i votuesve të grupit Tea Party për të bërë kompromis mund të ketë qënë arsyeja e fitores së demokratit McAuliffe.

“Ata me pak fjalë thanë se nuk do të bënin kompromis edhe nëse do të shkaktonin mospagimin e detyrimeve financiare të Shteteve të Bashkuara, edhe nëse do të shkaktonin mbylljen e pjesëshme të qeverisë federale. Tani realiteti i propozimeve të fraksionit konservator republikan Tea Party është shndëruar në realitetin praktik për të administruar qeverinë dhe ekonominë”.

Ndërkohë, analisti republikan, Ford O'Connell shton se kundërshtimi i Tea Party rrezikon që edhe ky grupim të humbasë ndikim dhe mbështetje nëse nuk mendon matanë politikave të kundërshtimit.

“2014 do të jetë vit vendimtar për grupin Tea Party, veçanërisht lidhur me çështje shqetësuese për votuesit amerikanë: vendet e punës, borxhi dhe ligji i kujdesit shëndetsor. Dhe që Tea Party të ketë ndikim, ajo duhet të hartojë një strategji afat-gjatë, që do të thotë se duhet të gjejë një mënyrë për të fituar zgjedhjet dhe për të qeverisur në vend të kundërshtimit të elementëve të Partisë Republikane, që i shikon si dezertorë të kësaj partie”.

Ndërkohë, qyteti i Nju Jorkut votoi për kryebashkiakun e parë demokrat pas 20 vjetësh. Bill de Blasio fitoi me lehtësi ndaj republikanit, Joe Lhota, duke zënë vendin e kryebashkiakut të pavarur Michael Bloomberg, i cili nuk mund të kandidonte për një mandat të katërt.

Votuesit në disa qytete të tjera të rëndësishme votuan për kryebashkiakun e tyre, përfshirë Atlantën, Bostonin, Detroitin, Hjustonin dhe Majemin.
Analistët politikë në Shtetet e Bashkuara po përpiqen të gjejnë prirje në rezultatet e zgjedhjeve të djeshme me shpresë se mund të parashikojnë rezultatin e zgjedhjeve për në Kongresin amerikan vitin e ardhshëm, kur votohet për të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe për një të tretën e 100 vendeve të Senatit.

XS
SM
MD
LG