Lidhje

Thaçi viziton Shkupin, bën thirrje për pjesëmarrje në referendum


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkoi të mërkuren për vizitë në Shkup, ku u prit nga Kryeministri Zoran Zaev, ndërsa pati takime edhe me kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë dhe me drejtues politikë. Zoti Thaçi theksoi mbështetjen dhe bëri thirrje për dalje në referendumin e 30 shtatorit në Maqedoni, por çështja e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë mbizotëroi në një konferencë për mjetet e informimit. Kryeministri Zaev theksoi pritjet për një marrëveshje pozitive midis Prishtinës dhe Beogradit, që do ta forcojë paqen dhe qëndrueshmërinë në të gjithë rajonin.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, viziton Shkupin
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:07 0:00

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u prit nga kryeministri Zoran Zaev, ndërsa nuk dha kush hollësi pse nuk ishte organizuar një takim me kolegun e tij në Shkup, Gjorgje Ivanov.

Thaçi dhe Zaev kanë diskutuar për marrëdhëniet e dyanshme midis Kosovës dhe Maqedonisë, për nevojën e lidhjeve infrastrukturore dhe për zhvillimet aktuale në rajon.

Në një konferencë për media mbizotëroi çështja aktuale e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Thaçi tha se nuk do te jetë e lehtë që të arrihet një marrëveshje historike përfundimtare e paqes, që nënkupton njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, por është rruga e vetme tha ai, që përmes dialogut dhe bisedimeve, Kosovës t’i mundësohet lëvizja më e shpejtë drejt të ardhmes Euroatlantike, sikurese edhe Serbisë e ardhmja evropiane:

“Kam dashur që të diskutoj edhe me ju dhe t’ju siguroj se çdo marrëveshje e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë substancën dhe shpirtin evropian dhe do të jetë në interes të Kosovës dhe të Serbisë, në interes të popujve tanë. Nuk duhet të ketë zgjidhje të vijave etnike apo në baza etnike. Gjithashtu, një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë do të bëjë që ju të ndiheni komod dhe mirë dhe njerëzit do të jenë mbështetës të këtij procesi; Nuk do të bëjmë asnjë marrëveshje që cenon miqtë tanë, - tha presidenti Thaçi duke iu drejtuar kryeministrit maqedonas: “Negociatat do të intensifikohen. Një marrëveshje e tillë mund të shtyhet, por do ta ketë koston e lartë. Jam i vetëdijshëm se marrëveshja do të jetë një kompromis i debatueshëm si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi”, - tha presidenti i Kosovës.

“Maqedonia, - tha kryeministri Zaev - e mbështet një zgjidhje pozitive për Kosovën; një zgjidhje që do ta ngrejë gjendjen dhe mirëqenien edhe të shqiptarëve edhe të serbëve dhe të tjerëve në Kosovë. Një zgjidhje e cila do ta forcojë paqen, qëndrueshmërinë dhe mirëqenien e Kosovës, Serbisë dhe të gjithë rajonit tonë”, tha ai.

Kryeministri Zaev tha se ndjehet i lumtur që presidenti i Kosovës, si një “përfaqësues i vërtetë i një vendi mik erdhi për të na inkurajuar por dhe për të na qetësuar, duke dhënë një mesazh, se po bëhen përpjekje përmes dialogut, që të gjindet zgjidhja midis Beogradit dhe Prishtinës dhe se zgjidhja do te jetë miqësore dhe e kujdesshme për Maqedoninë dhe për rajonin”.

Presidenti Thaçi tha se respekton vendimin e parlamentit të Kosovës në lidhje me një marrëveshje të mundshme me Serbinë:

“Procesi do të kalojë përmes një referendumi, pastaj në parlament. Kështu që, do të vendosin vetë qytetarët e Kosovës dhe nuk do të mund të pengohet nga asnjë individ apo grup i caktuar i njerëzve. Por, unë jam optimist se më mirë ta kryejmë tash këtë marrëveshje se sa pas një ose dy dekadash. Ne nuk kemi të drejtë të mbajmë peng të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të fëmijëve të fëmijëve tanë, gjeneratave të reja, kështu që do të bëjmë përpjekje maksimale për të arritur një marrëveshje historike Kosovë-Serbi”,- tha zoti Thaçi.

Ndërkaq, presidenti Thaçi shprehu mbështetje për referendumin e pritshëm në Maqedoni:

”Ftoj me autoritetin tim modest, në emër të Kosovës si një vend fqinj me Maqedonin,ë të gjithë qytetarët e Maqedonisë pa dallim që të marrin pjesë në referendum dhe të votojnë pro. Maqedonia në NATO është më tepër paqe për të gjithë rajonin, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Është një moment historik të cilin duhet shfrytëzuar”, - u shpreh Thaçi.

Kryeministri maqedonas u shpreh se raportet e mira midis të dy vendeve, ngrihen edhe duke hapur pika të reja kufitare si Bellanoc-Stançiç (në rajonin e Kumanovës, përkatësisht Gjilanit) dhe me lidhjet infrastrukturore.

Zoti Zaev përmendi në këtë kuadër projektin për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë në kufi me Kosovën. "Kjo, - theksoi ai - do ta shtonte bashkëpunimin ekonomik dhe do ta rriste vëllimin e tregtisë midis dy vendeve". Zaev paralajmëroi ngritjen e një komiteti të përbashkët për bashkëpunim ekonomik.

Shkupi e shikon si përparësi numër një lidhjen energjetike me Kosovën. Maqedonia do të ndërmarrë një nismë për ndërtimin e gazjellësit në drejtim të Kosovës. Brenda pak javësh, pritet një takim ndërqeveritar midis Shkupit dhe Prishtinës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG