Lidhje

Thaçi: bisedimet me presidentin serb nuk do të jenë të lehta


Kosovo/Thaci

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha sot se bisedimet me presidentin serb nuk do të jenë të lehta ndërsa paralajmëroi vështirësi në javët e ardhshme.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference me gazetarë në Prishtinë, pas takimit të një dite më parë në Bruksel me presidentin serb, që ishte cilësuar si më i vështiri deri më tani.

Presidenti Thaçi tha se megjithë pengesat e vështirësitë nga autoritetet e Serbisë, ende shpreson për arritjen e një marrëveshjeje.

Thaçi komenton për bisedimet me Serbinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:16 0:00

“Të dy presidentët kemi konstatuar se vazhdimi i gjendjes së tanishme nënkupoton mesazhe dhe situata të reja me mundësi të destabilizimit dhe me rreziqe të konflikteve dhe problemeve tjera. Prandaj kemi vendosur që të vazhdoj ky dialog me vështirësi e pengesa pavarësisht se sa i rëndë është, për hirë të së ardhmes së sigurtë paqësore dhe normale në mes të dy vendeve”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se nuk është lehtë të bisedohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiç pasi që sipas tij ende mendon që Kosova është pjesë e Serbisë. Ai thotë se pozicionet në bisedime janë shumë të largëta në mes dy vendeve.

“Ky pozicion i presidentit Vuçiç është larg realitetit. Njerëzit mund të besojnë se është në trysni të opinionit publik në Serbi por si udhëheqës ne kemi obligim ta qartësojmë opinionin tonë përputhshmëri me realitetet që kemi. Kosova është vend sovran dhe i pavarur, kush do që vjen në Serbi duhet ta kuptojë këtë”,tha ai.

Ai tha se pavarësisht dallimeve të mëdha dhe vështirësive të patejkalueshme në mes të Kosovës e Serbisë ende shpreson që ky proces të vazhdojë dhe brenda katër apo gjashtë muaj të arrihet marrëveshja përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve, të arritjes së paqes dhe njohjes reciproke ndërmjet dy vendeve.

“Arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi është fitore e Bashkimit Evropian, është fitore e shpirtit evropian dhe është disfatë e plotë e ideologjive jo perëndimore. Nëse nuk arrihet marrëveshja atëeherë ideologjitë jo perëndimore do të kenë hapësirë dhe do ta shfrytëzojnë në mënyrë të tmerrshme në dëm të vlerave euro-atlantike të gjendjes së re të krijuar”,tha ai.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje.

Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Beogradi që kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon një "kompromis", por pa e qartësuar se cili mund të jetë ai.

Një pjesë e politikanëve ne Serbi tashmë e kanë përsëritur se zgjidhje mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t'i takojë Serbisë, ide që është hedhur poshtë nga Prishtina.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG