Lidhje

Thatësira e stërgjatur dëmton fermerët në Oklahoma


Pjesë perëndimore në Teksas dhe jugperëndim të Oklahomës janë gjendur nën kushte thatësire prej disa vitesh. Mungesa e reshjeve ka shkaktuar dëme në prodhimet e pambukut dhe drithrave. Guvernatorja e shtetit Oklahoma Mary Fallin thotë se shteti i saj ka pësuar humbje prej 2 miliardë dollarësh në sektorin e bujqësisë që nga 2011. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus nga Altus në Oklahoma, megjithë reshjet e javëve të fundit, për shumicën e fermerëve ato kanë qënë shumë të vonuara.

Ka patur disa herë shira të rrëmbyer, por reshjet ishin të nevojshme javë më parë, kur drithërat ishin në fazën kritike të rritjes. Fermeri Marr Muller thotë se kjo pjesë e Oklahomës ka kohë që nuk ka patur reshje të mjaftueshme.

“Ferma ishte mirë deri në vitin 2010. Por që nga vjeshta e atij viti nuk ka patur më reshje. Gjatë katër viteve të fundit kemi patur një thatësirë të vazhdueshme.”

Një pranverë e hershme, e freskët dhe me lagështi i dha shpresa fermerit Muller dhe të tjerëve.

“Gjërat dukeshin mirë si rezultat i temperaturave të mesme dhe reshjeve, por në gusht ndjeheshe sikur vinte zjarr nga qielli.”

Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve shkatërruan shumicën e të mbjellave, ndërsa disa lloj fasulesh mbijetuan.

“Këto fasule i mbollëm kur pati reshje dhe ishin në gjendje të prodhonin para se të shkatërroheshin nga thatësira e gushtit.”

Mbjellje që i rezistojnë thatësirës dhe sistemi i vaditjes i ndihmojnë fermerët të mbijetojnë por të ardhurat nga drithërat që sjellin përfitime si pambuku janë të pakta.

Fermerët e pambukut si Clint Abernathy kanë investuar qindra mijëra dollarë në makineri si mbledhësi i pambukut, por vitet e fundit prodhimi ka rënë poshtë parashikimeve.

“Në qershor dhe korrik kishim reshje të mjaftueshme që na dhanë shpresa për vjelje të mbara. Por përfituam vetëm tre të katërtat e prashikuara si rezultat i thatësirës që pasoi.”

Ai thotë se para thatësirës bima e pambukut ishte e shëndetshme.

“Bima u dëmtua dhe nuk prodhoi sasinë e pritshme.”

Siguracioni i të mbjellave ka ndihmuar disi, por Clint thotë se fermerët kanë nevojë për më shumë ujë dhe çmime më të mira për prodhimet e tyre.

“Madje, edhe me siguracionet po humbasim. Përfitimet po bien çdo vit. Përveç bagëtisë, çmimet e tjera të bimëve bujqësore vazhdojnë të bien.”

Çmimet e bagëtive ranë disa vite më parë kur thatësira detyroi shumë fermerë të shisnin bagëtitë, por pak fermerë në këtë zonë kanë ndonjë gjë për të shitur dhe më pak para për të shpenzuar dhe kështu më pak para qarkullojnë në ekonomi.

Megjithatë, fermerët në jugperëndim të Oklahomës po shpresojnë që viti i ardhëshëm të jetë më i mirë.

XS
SM
MD
LG