Lidhje

"The Theory of Everything" fitues i Oscarit


Aktori britanik Eddie Redmayne pritej të fitonte çmimin Oscar si aktori më i mirë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Akademisë, dhe ashtu ndodhi. Portretizimi prej tij i kozmologut Stephen Hawking në filmin "The Theory of Everything" ishte vlerësuar edhe më parë në ceremoninë e çmimeve Guild. Filmi është një kronikë e jetës së fizikanit të famshëm që nga koha kur ai ishte një student i shkëlqyer i shkencave në Cambridge, në vitin 1963, deri në vitet e ndryshimeve fizike që ai pësoi, për shkak të sëmundjes ALS, sklerozës amiotrofike anësore. Kur mori çmimin e Akademisë, Redmayne tha, "Ky Oscar i përket të gjithë njerëzve të botës që luftojnë me sëmundjen ALS." Filmi është i bazuar tek kujtimet e gruas së parë të shkencëtarit.

Marrëdhënia mes Stephen Hawking, i interpretuar nga Eddie Redmayne dhe Jane-it, nën intrepretimin e Felicity Jones, është në qendër të filmit biografik "The Theory of Everything". Në film rrëfehen vështirësitë e jashtëzakonshme me të cilat përballet çifti, ndërsa gjendja shëndetësore e Hawking-sit keqësohet.

"Quhet sëmundja e neuroneve motorike dhe i mbeten vetëm dy vjet jetë."

Megjithë gjendjen e tij, Jane ka vendosur të qëndrojë me të shoqin.

Jane dhe Stephen martohen, por humbja graduale e aftësive të lëvizjes te

Hawking ndikon tek gruaja e tij, e cila kujdeset për të dhe është njëkohësisht nëna e tre fëmijëve të tij.

Hawking jeton gjysëm shekulli më gjatë se sa parashikonin mjekët dhe ai ja dedikoi jetën studimit të rëndësisë së vrimave të zeza dhe origjinës së universit.

"Të provosh me një ekuacion të vetëm se ekziston një fillim në kohë… A nuk do të ishte kjo diçka e bukur? Një ekuacion i vetëm elegant do të shpjegonte gjithshka…"

Transformimi i çuditshëm fizik i Eddie Redmayne-it në rolin e Stephen Hawking-sit e bën këtë film shumë të ndryshëm nga filmat biografikë tradicionalë.

“Unë punova me një specialist të sëmundjes ALS, me të cilin u përpoqëm të kuptonim se cilët muskuj në trupin e Stivenit ishin atrofizuar, në mënyrë që ta portretizonim atë më mirë."

Redmayne thotë se kontrolli i dobësimit gradual të muskujve në lëvizjet e Hawking ishte vetëm një pjesë e interpretimit të rolit të tij. Aspekti tjetër, ai më i vështiri, ishte depërtimi tek shpirti i paepur i shkencëtarit dhe paraqitja e tij.

“Para së gjithash, ishte shkëndija e mprehtësisë së tij karakteristike, shpirti rebel që shoqëron gjenialitetin, të cilat unë u përpoqa t'i sjell në film."

Stephen Hawking shkoi vetë për ta parë ekipin realizues të filmit.

“Zonja dhe zotërinj, kam kënaqësinë t'ju prezantoj profesor Stephen Hawking”, thotë regjisori James Marsh.

“Ai u shfaq, i rrethuar nga infermjeret e tij, me një shkëlqim të veçantë: një qenie e kompjuterizuar, me karrigen e tij - një siluetë tashmë ikonë… Ardhja e tij u shoqërua me fishekzjarre. Unë e krahasoj këtë skenë me shfaqjen në skenë të yllit më të madh të rokut që kam parë ndonjëherë në jetën time", thotë aktori Eddie Redmayne.

Eddie Redmayne thotë se ndjehet tepër i privilegjuar që ka interpretuar figurën e një karakteri të tillë-ikonë, por ai pranon se ka ndjerë përgjegjësi të madhe me këtë rol, që u amplikua më tej kur ishte i pranishëm vetë Hawkings në vendin e xhirimit. …Dhe në fund të fundit, jo vetëm Hawking, por edhe Akademia e Arteve dhe Shkencave dha vlerësimin e merituar për interpretimin e Eddie Redmayne-it…

XS
SM
MD
LG