Lidhje

Këtë javë në Uashington


Hetimet rreth administrates së Presidentit Obama mund të arrijnë kulmin këtë javë. Pikpyetje të reja janë shfaqur lidhur me sulmin vdekjeprurës më 11 shtator 2012 në Konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, ndërkohë që agjencia amerikane përgjegjëse për grumbullimin e taksave ka pranuar se ka vënë në shënjestër grupe dhe individë me pikpamje konservatore.

Pak pasi u duk sikur hetimeve rreth sulmit në Bengazi po i vinte fundit, një korrespondent i programit ABC News njoftoi se kishte në dispozicion mesazhe elektronike, që tregonin se Departamenti i Shtetit kishte redaktuar qëndrimin e administratës për të mos i kushtuar rëndësi aspektit terrorist në këtë incident, ku gjetën vdekjen 4 amerikanë, përfshirë edhe ambasadorin në Libi.
Këto informacione të reja i japin jetë hetimeve në Kongres, veçanërisht në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë republikane:

“Objektivi ynë në këto hetime është të marrim përgjigjet”, thotë republikani Darrell Issa.

Shtëpia e Bardhë ka mohuar për një kohë të gjatë të ketë keqinformuar me qëllim popullin amerikan lidhur me sulmin e shtatorit të kaluar, i cili ndodhi në kulmin e fushatës së Presidentit Barack Obama për rizgjedhje:

“Kjo çështje kontradiktore do të ishte më e rëndësishme nëse ne nuk do të kishim pranuar që në fillim pjesëmarrjen e ekstremistëve në këtë sulm. Kjo është një përpjekje për ta akuzuar administratën për fshehjen e diçkaje që ne nuk e fshehëm”, thotë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney.

Ata që i përlqejnë intrigat e Uashingtonit, morën të premten një dozë të dyfishtë lajmesh. Agjencia federale që merret me grumbullimin e taksave, IRS pranoi se vitin e kaluar kishte vënë në shënjestër të kontrolleve intensive grupe që kanë lidhje me lëvizjen konservatore Tea Party, e lidhur me republikanët.

Udhëheqësi i pakicës repulikane në Senat, Mitch McConnell e akuzoi IRS-in për përdorim taktikash prej “banditësh”. Senatori demokrat Carl Levin premtoi se do të bëhen hetime. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney i cilësoi veprimet e IRS-it si të “papërshtatshme”, por vuri në dukje se ajo është një agjenci politikisht e pavarur.

Ndërkohë, kriza e vazhdueshme në Siri pritet të jenë në qendër të diskutimeve kur Presidenti Obama të takohet këtë javë me kryeministrin britanik, David Cameron dhe Kryeministrin turk, Recep Tayyip Erdogan.

XS
SM
MD
LG