Lidhje

Tillerson: Nuk e përjashtojmë reagimin ushtarak


Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson tha të premten se Uashingtoni nuk do të përjashtonte reagimin ushtarak ndaj ndonjë agresioni të ardhshëm të Koresë së Veriut dhe se do të kërkojë të rrisë izolimin financiar dhe ndërkombëtar të Penianit.

"Siç e kemi thënë më parë, të gjitha alternativat për t'iu përgjigjur një provokimi të ardhshëm duhet të mbeten në tryezë", tha zoti Tillerson në një takim të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi çështjen bërthamore të Koresë së Veriut.

"Mjetet diplomatike dhe financiare të fuqisë do të mbështeten nga një gatishmëri për t’iu përgjigjur agresionit të Koresë së Veriut me veprime ushtarake nëse është e nevojshme", paralajmëroi ai. "Ne preferojmë shumë një zgjidhje me negociata të problemit, por jemi të angazhuar për të mbrojtur veten dhe aleatët tanë kundër një agresioni të Koresë së Veriut".

Zoti Tillerson tha se kjo fushatë e re presioni të intensifikuar do të zbatohet me shpejtësi dhe "do të jetë e dhimbshme për interesat e Koresë së Veriut", por ai këmbënguli se pjesë e kësaj nuk është ndryshimi i regjimit.

Ai shtoi se nuk do të ketë bisedime para se Koreja e Veriut të ndërmarrë hapa konkretë për të çmontuar programet e saj të armëve të paligjshme.

Tillerson parashtroi atë që Uashingtoni dëshiron të bëjë bashkësia ndërkombëtare për të ndalur Korenë e Veriut të zhvillojë armë bërthamore.

Ai bëri thirrje për rritjen e presioneve diplomatike dhe ekonomike ndaj Phenianit për ta bërë atë të ndryshojë kurs, duke përfshirë sanksione të reja me objektiva të përcaktuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG