Lidhje

Takim Tillerson-Lavrov në Manila


Rusia tha të dielën se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë së shpejti një përfaqësues në Moskë lidhur me situatën në Ukrainën lindore, për të zhvilluar bisedime me zyrtarët rusë mbi dhunën që vazhdon.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e bëri njoftimin të dielën, pas një takimi mbi një orësh në Manila me homologun amerikan, Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson. Ishte kontakti i parë i nivelit të lartë mes dy vendeve që kur Presidenti Trump nënshkroi javën e kaluar sanksionet e reja të SHBA kundër Moskës si ndëshkim për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016.

Ministri Lavrov tha se diplomati amerikan Kurt Volker do të takohej me të dërguarin rus për Ukrainën, Vladislav Surkov. Zoti Volker muajin e kaluar vizitoi Ukrainën lindore, ku separatistët rusë të mbështetur nga Moska luftojnë për më shumë se tre vjet me forcat ukrainase. Konflikti që ka marrë mbi 10 mijë jetë, filloi kur Moska aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina.

Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë bërë komente lidhur me takimin Tillerson-Lavrov. Ministri rus tha se megjithë sanksionet amerikane, Moska i përmbahet bindjes se “homologët amerikanë duhet të mbajnë të hapur dialogun. Nuk ka alternative tjetër”.

XS
SM
MD
LG