Lidhje

SHBA, BE, thirrje Turqisë të minimizojë viktimat civile


Sekretari i Shtetit Rex Tillerson dhe homologia e tij evropiane Federica Mogherini i kanë bërë thirrje Turqisë që të kujdeset për sigurinë e civilëve në ofensivën e saj në një enklavë kurde të Sirisë. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se forcat e turke nuk do të tërhiqen derisa të realizohen qëllimet e Turqisë. Por ai tha se Ankaraja nuk ka ndërmend të marrë ndonjë pjesë territori të Sirisë. Turqia thotë se kurdët sirianë po punojnë me kurdët turq për të formuar një Kurdistan të pavarur me një territor që shtrihet në pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur kurdët në luftën e tyre kundër Shtetit Islamik.

Ofensiva e Turqisë kundër rajonit kurd të Afrinit në Sirinë veriperëndimore u intensifikua të hënën, me shpërthimin e përleshjeve mes forcave turke dhe milicisë kurde lokale, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Tillerson u tha gazetarëve në Londër se Shtetet e Bashkuara kanë qenë në kontakt me të dyja palët.

"Ne i bëjmë thirrje të dyja palëve që të tregojnë përmbajtje, ju lutemi minimizoni ndikimin mbi viktimat civile. Tashmë kemi patur shumë viktima civile dhe duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë për të trajtuar së bashku shqetësimet legjitime të Turqisë mbi sigurinë në një mënyrë që është e kënaqshme për Ankaranë dhe të kthehemi në procesin e mposhtjes së ISIS-it, duke siguruar një Siri paqësore dhe të qëndrueshme dhe duke punuar drejt një Sirie të bashkuar përmes procesit të Gjenevës për paqe, ndaj të cilit të gjithë jemi të përkushtuar", tha Sekretari Tillerson.

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini u kërkoi të dyja palëve që të garantojnë dërgimin e ndihmave humanitare për civilët. Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin se luftimet do të dëmtonin përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore në luftën civile gati shtatëvjeçare të Sirisë.

"Kjo ofensivë dhe aktivitetet ushtarake nga të tjerët në Siri, mund të minojnë seriozisht rifillimin e bisedimeve në Gjenevë, të cilat ne besojmë se mund të sjellin paqe dhe siguri të qëndrueshme për Sirinë me një tranzicion politik".

Presidenti Erdogan tha se forcat e tij nuk do të ndalen derisa të vendosin sigurinë në territorin pranë kufirit të Turqisë me Sirinë. Ai ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për armatosjen e forcave kurde, qëllimi i të cilëve është ndërmarrja e sulmeve ndërkufitare ndaj Turqisë. Erdogan pretendon se kurdët sirianë janë të lidhur me grupin separatist kurd PKK, që është klasifikuar si një organizatë terroriste nga Turqia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

"Çështja e rajoni të Afrinit do të zgjidhet. Nuk do të ketë asnjë hap prapa nga Afrini. Ne e kemi diskutuar këtë me miqtë tanë rusë, kemi një marrëveshje. Kemi biseduar edhe me fuqitë e tjera të koalicionit. Kemi biseduar edhe me Amerikën por nuk kemi mundur t'i bindim ata për asgjë. Ne u thamë atyre: "Përse po luftoni grupin terrorist të Shtetit Islamik me një organizatë tjetër terroriste?"

Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov akuzoi të hënën Shtetet e Bashkuara për nxitjen e lëvizjes separatiste kurde, ose për shkak të mungesës së kuptimit të situatës ose provokimit të qëllimtë. Mbështetja ushtarake e Rusisë ka ndihmuar qeverinë në Damask të rimarrë pjesën më të madhe të territorit të kapur nga opozita siriane. Turqia e ka kritikuar këtë mbështetje dhe madje ka rrëzuar një avion rusë në hapësirën ajrore të Sirisë. Por, pas incidentit të dyja palët u pajtuan shumë shpejt.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG