Lidhje

Tiranë-Athinë, marrëdhënie të vështira


Bisedime të tendosura për cështjen came. Ministri shqiptar Bushati kërkon heqjen e ligjit të luftës. Diskutohet kufiri detar

Në Tiranë, vizita e sotme e ministrit të Jashtëm të Greqisë Evangelos Venizelos nxorri edhe një herë në pah qasjet e ndryshme që të dy vendet kanë lidhur me zgjidhjen e disa cështjeve të rëndësishme të ngelura pezull mes tyre. Sipas ministrit të jashtëm shqiptar Ditmir Bushati heqja e ligjit të luftës nga ana e Greqisë do të zgjidhte problemet e të drejtës së pronësisë së shqiptarëve me origjinë came. Por ministri Venizelos tha se paqja mes dy vendeve është deklaruar që në 1987 dhe se kush ka probleme me kuadrin ligjor grek mund t’i drejtohet gjykatës së Strasburgut. Të dy ministrat diskutuan edhe për temën e kufirit detar, e cila sipas Tiranës duhet të zgjidhet në respekt të së drejtës ndërkombëtare

Të dy ministrat e jashtëm shqiptar dolën në konferencën e përbashkët për shtyp me shumë vonesë. Bisedimet kokë kishin zgjatur tej parashikimeve dhe mesa u duk, pa ndonjë afrim në temat e nxehta mes dy vendeve. Përtej falenderimeve reciproke dhe frazave të zgjedhura, mospajtimet mes palëve u kuptuan shumë shpejt, kur në deklaratën e tij ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati tha se “riaktivizimi i mekanizmave të parashikuar nga traktati shoqëruar me heqjen e ligjit të luiftës së 1940 nga ana e Greqisë, i cili në vetvete nuk pasqyron realitetin e sotëm të fqinjësisë së mirë, të përckatësisë transatlantike, të rrugëtimit europian dhe miqësisë së hershme mes dy popujve tanë dhe njëkohësisht do të mundësonte fitimin e të drejtave pronësore të mohuara në përputhje me praktikat e konsoliduara të së drejtës ndërkombëtare”.

Ministri Bushati tha se pala shqiptare ka të vullnetin e plotë për të trajtuar pa asnjë tabu cështjet e mbartura por edhe ato të krijuara rishtazi. Por ministri grek u shpreh se “gjendjen e paqes mes Greqisë e Shqipërisë e ka shpallur në në 1987 këshilli i ministrave të Greqisë. Gjithkush që ka dicka për të kërkuar ndaj kuadrit ligjor grek, ka të drejtën ti drejtohet edhe Gjykatës ndërkombëtare të Strasburgut”.

Eshtë e vërtetë se Athina ka njoftuar që në ‘87 për heqjen dorë nga ligji i luftës, por studiuesit e së drejtës ndërkombëtare shpjegojnë se asnjëherë ajo nuk ka treguar një dokument të shkruar për këtë. Dhe kjo ka mbajtur pezull të drejtat e pronësisë së popullsisë came. Greqia ka mohuar gjithnjë që të në marredhëniet mes dy vendeve të ketë një cështje came. Por ministri Bushati tha se “përsa na përket ne, qeverisë shqiptare, ajo që njihet si çështja çame është pjesë e dosjes sonë diplomatike me Greqinë. Dhe sot, sipas pikëpamjes sonë është momenti që realiteti të shihet në sy, të tejkalohen pengesat e së shkuarës, ato që njihen si pengesa historike një nga një, sepse ne duam të pasurojmë gamën e bashkëpunimit dypalësh rajonal dhe europian dhe jo ti lemë terren nacionalizmit folklorik që në mungesë të adresimit të kësaj çështjeje dhe çështjeve të tjera, në përputhje me praktikën ndërkombëtare, tenton që t’a mbajë peng marrëdhënien mes dy popujve miq dhe pse jo, në disa raste të shkojë në absurditet që nuk i shërben marrëdhënieve tona të konsoliduara”

Një tjetër cështje e nxehtë mes dy vendeve është edhe ajo e kufirit detar. Marrëveshja e arritur në 2009 u rrëzua nga Gjykata kushtetuese shqiptare. Në këtë pikë Greqia duket se kërkon ta përshpejtojë zgjidhjen duke e trajtuar atë edhe si një cështje në kuadrin e integrimit europian të Shqipërisë. Greqia do të ketë presidencën e ardhhme të Bashkimit europian. “Të gjitha vendet e BE e pranojnë të drejtën ndërkombëtare mbi detin dhe zbatimin e konventës së OKB mbi detin. Eshtë e qartë se kriteret e kopenhagenit vlejnë edhe për vendet kandidate për anëtare në BE. Ekziston një praktikë europiane, një shembull greko italian dhe jemi të sigurt se me të njejtën fryme do të lëvizim dhe me kufijtë me Shqipërinë sepse kemi pranuar të njejtat rregulla dhe parime”, u shpreh zoti Venizelos

Ministri i jashtëm shqiptar Bushati ju referua gjithashtu kritereve të Kopenhagenit “që vlejnë dhe për vendet anëtare”, duke përsëritur edhe një herë gatishmërinë për zgjidhjen e të gjithë problemeve: “Duam t’i adresojmë të gjitha çështjes, si ato që konsiderohen si pengesa historike por edhe ato që kanë lindur rishtazi me kurajo dhe vullnet politik bazuar në legjislacionet e vendeve respective, parimet e themeluara të së drejtës ndërkombëtare në fushën e detit, në rastin në fjalë dhe natyrisht eksperiencave më të mira, sepse e ardhmja jonë është Bashkimi Europian, familja europiane”.

Të dy palët bënë deklarata të kujdesshme lidhur me minoritetin grek në Shqipëri, ku ministri Venizelos nuk la pa nënvizuar peshën që ato kanë në marrëhdëniet mes dy vendeve. Ndërkohë që një bashkëpunim i plotë u theksua lidhur me gazjellësin Tap, apo dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë, për të cilin Greqia është e gatshme të ofrojë asistencën e saj.

Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë shënuar ulje ngritje të shpeshta. Gushtin e kaluar ata shënuan një tjetër acarim për shkak të konfliktit në Përmet mbi një truall të pretenduar nga Kisha ortodokse. Athina reagoi ashpër dhe në kufirin mes dy vendeve u bllokua për orë të tëra kalimi i shqiptarëve. Kryeministri Berisha, në atë kohë ende në detyrë, foli për një ndërhyrje të Greqisë në punët e brendshme të vendit.
XS
SM
MD
LG