Lidhje

Tiranë, 4 të vrarë në një lokal


Tre persona arrestohen si të dyshuar. Mes tyre dhe djali i deputetes socialiste Luiza Xhuvani, e cila dha në mbrëmje dorëheqjen. Kryeministri Rama: Drejtësia njësoj për të gjithë

Në Shqipëri katër persona u vranë gjatë një përleshje me armë në një lokal nate në orët e para të mëngjesit në Tiranë. Ngjarja ndodhi në një zonë qendrore të kryeqytetit. Policia arrestoi tre persona, mes të cilëve dhe Kostantin Xhuvanin, të birinë e deputetes socialiste Luiza Xhuvani, si i dyshuari kryesor për vrasjet. Në mbrëmje deputetja Xhuvani, u shfaq në krah të kryeministrit Edi Rama duke deklaruar dorëheqjen e saj si deputete, ndërsa tha se drejtësia duhet të bëjë drejtësi njësoj për të gjithë.

Policia shqiptare nuk ka dhënë ende asnjë detaj mbi motivet e ngjarjes e cila tronditi që pa gdhirë kryeqytetin. Ajo foli fillimisht për një konflikt të castit mes dy grupeve brenda lokalit i cili më pas kishte përfunduar me përdorimin e armëve. Mes të vrarëve është edhe një shtetas italian, Giampaolo Azzola, 55 vjec, i cili kishte prej disa vitesh një aktivitet biznesi në kryeqytetin shqiptar. Policia tha se dy të vrarë të tjerë nga Berati u gjetën pranë hyrjes së lokalit, ndërsa një 19 vjecar nga Tirana, pranë një automjeti pak metra më tutje.

Tre persona të dyshuar si autorë të vrasjes u arrestuan pak minuta pas ngjarjes. Mes tyre edhe 25 vjecari Kostantin Xhuvani, i dënuar më parë me tre vjet burg për një vrasje të ndodhur me 2011. Emri i tij u përmend edhe nën dyshimet se ishte përfshirë në rezistencën ndaj policisë në aksionin e saj në Lazarat qershorin e kaluar. Ai është djali i deputetes socialiste Luiza Xhuvani.

Opozita akuzoi drejtuesit e policisë dhe ministrisë së Rendit se i kanë dhënë mbrojtje të birit të deputetes, duke bërë përgjegjëse qeverinë për një situatë alarmante sipas saj të gjendjes së rendit dhe sigurisë në vend. Kryetari i parlamentit Ilir Meta, tha se “të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”, ndërsa u pyet për rastin në fjalë.

Në mbrëmje zonja Xhuvani u shfaq në krah të kryeministrit Edi Rama duke njoftuar dorëzimin e mandatit të saj si deputete. “Si një nënë, me bindjen se drejtësia duhet të veprojë me drejtësi edhe kur bëhet fjalë për djalin tënd, për t’i hequr cdo lloj alibie cdokujt, në pamundësi për të vazhduar t’i shërbejë e ti dedikohem zonës që më ka zgjedhur, duke i kërkuar ndjesë, i kam paraqitur kryeministrit dhe kryetarit të Partisë socialiste, dorëheqjen time si deputete e Sarandës”, deklaroi zonja Xhuvani. Ajo i mëshoi disa herë faktit se pavarësisht se bëhej fjalë për djalin e saj, drejtësia duhet të jetë e njëllojtë. “Janë katër familje që sot vajtojnë humbjen e njerëzve më të shtrenjte, që kërkojnë drejtësi, dhe drejtësia duhet të bejë drejtësi, dhe drejtësia duhet ti trajtojë të gjithë të barabartë para ligjit”, tha ajo.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama duke vlerësuar gjestin e deputetes socialiste Xhuvani, një prej aktorëve më të njohura në vend dhe bashkëshorte e regjisorit po ashtu te njohurt Gjergj Xhuvani, tha se "ideja e krijuar ndër vite se ka një ligj për fëmijët e njerëzve të thjështë dhe një ligj për ata të politikanëve, një shtet tjetër për të njejtin lloj krimesh e kundravajtjesh me autorë politikanët e njerëzit e tyre ka marrë fund më 23 qershorin e vitit të shkuar”. Duke ju kunderpërgjigjur akuzave të opozitës ai tha se “u provua që policia e Shtetit është në krye të detyrës ndaj kujtdo që i del përpara në shkelje të ligjit”. Ai shtoi se mesazhet e tij ndaj gjykatësve për të dhënë Drejtësi mbeten të njejta, ndërsa shtoi se mesazhi i zonjës Xhuvani duhet t’i shërbejë jo vetëm politikës “por edhe gjykatësve si një dëshmi domethënëse për cfarë ka ndryshuar në Shqipëri mes Gjykatës dhe qeverisë. Ligji është njësoj për të gjithë ne”, nënvizoi kryeministri.

XS
SM
MD
LG