Lidhje

Top Channel detyrohet të lirojë studiot


Pas odiseve gjyqësore, televizioni më i madh në vend shpërngulet nga mjediset e ish-ekspozitës "Shqipëria Sot". Akuza qeverisë për trysni politike. Reagon edhe Unioni i gazetarëve shqiptarë

Në Shqipëri, Top Channel, televizioni më i madh në vend është detyruar të nisë sot shpërnguljen nga mjediset ku deri më tani kishte ndërtuar një pjesë të studiove kryesore të tij, pas një odiseje të gjatë përplasjesh politike dhe gjyqësore.

Katër vjet më parë ministria e Ekonomisë, duke u njohur pronarëve të drejtën mbi truallin ku ishin ngritur studiot e stacionit, prishi kontratën 20 vjeçare që kishte nënshkruar me Top Channel-in, për dhënien me qera të mjediseve në ish ekspozitën “Shqipëria Sot”. Që nga ajo kohë, ky televizion kombëtar u përfshi në një seri procesesh gjyqësore me shtetin për prishjen e njëanshme të kontratës dhe me pronarët që kërkonin marrjen në zotërim të pronës së tyre. Javën që shkoi Gjykata e Lartë nuk pranoi kërkesën e Top Channel-it për pezullimin e urdhërit të përmbarimit deri në përfundim të procesit në këtë gjykatë, dhe dje forca të shumta policore u paraqitën pranë ish-ekspozitës për të kërkuar lirimin e mjediseve. Sot, Unioni i Gazetarëve shqiptarë dënoi situatën e krijuar duke u shprehur se prania e forcave të shumta të policisë “është një akt që reflekton një dhunë psiqike mbi gazetarët”.

Sipas Top Channel-it, situata e krijuar është në vazhdën e përpjekjeve, që sipas tyre, qeveria ka nisur prej vitesh me këtë media “për shkak të qëndrimeve realiste dhe kritike, duke kërkuar edhe përmes vendimeve të fundit të gjykatave ta vendosë Top Channel në vështirësi dhe pamundësi për të punuar”, shkruhet në qëndrimin publik të televizionit, i cili thekson se edhe vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë është marrë “nën presion politik”, thuhet më tej. Top Channel deklaron se me largimin nga mjediset e ish-ekspozitës, disa prej emisioneve të saj më të ndjekura rrezikojnë transmetimin dhe vlerësojnë se nuk është rastësore që gjithshka ndodh në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Edhe sipas Unionit të Gazetarëve “Një vendim që ekzekutohet pikërisht në një moment të tillë nuk e përjashton dot as ndikimin, as efektin politik mbi mediat shqiptare”. Deri tani nuk ka patur ndonjë reagim nga qeveria.
XS
SM
MD
LG