Lidhje

Trafikimi i fëmijëve në Kinë


Këtë vit, Departamenti amerikan i Shtetit në raportimin e përvitsshëm për trafikimin e qënieve njerëzore e cilësonte Kinën ndër shkelësit më të rëndë në botë. Zyrtarët në Pekin thonë se kanë bërë përparim të dukshëm në luftimin e këtij fenomeni, por sipas vlerësimeve 200 mijë fëmijë bien pre e trafikimit çdo vit. Zëri i Amerikës foli me prindërit e fëmijëve të zhdukur të cilët po i bëjnë apel qeverisë në përpjekje të dëshpëruara për drejtësi.

Wu Liping ishte adoleshente kur vëllai i saj i vogël, Wu Yulong, ju shit trafikantëve.

“Ishte prill i vitit 1996, papritur një ditë vëllai im u zhduk.”

Yulong është fëmija i nëntë i familjes Wu, që jeton në një fshat në Kinën jugore, ku autoritetet kërkojnë pagesa vjetore nga familja që shkel rregullin për të patur vetëm një fëmijë. Familja e djaloshit nuk mund të përballonte një fëmijë tjetër ndaj ofruan adoptimin e tij tek fqinjët që kishin një vajzë.

“Kur vëllai ishte 1 vjeç, familja u shtua me një fëmijë tjetër, djalë. Në këtë kohë babai adoptues filloi të konsideronte shitjen e Yulongut. Ai kishte disa miq në biznesin e trafikut njerëzor, dhe fituan shumë para nga shitja e tij.”

Motra Liping thotë se njerëz në qytetin e saj e dinë kush janë trafikantët, por autoritetet lokale shpesh mbyllin sytë.

“Për shembull kur u zhduk vëllai im, babai e raportoi atë në polici. Ata thanë se do të na kontaktonin po të kishin lajme por ata as nuk na dhanë ndonjë dokument dhe nuk ka patur ndonjë hetim të bërë ndonjëherë.”

Fëmijët e trafikuar mund të shiten për disa mijëra dollarë në Kinë dhe kërkesa për fëmijë, kryesisht djem, është e lartë.

Raportet e policisë japin një pamje të zymtë, me rrjetet e trafikimit që shesin fëmijët tek ai që paguan më shumë, shpesh herë shtëpi fëmijësh apo banda tragtarësh qyteti dhe familje fshatare pa fëmijë.

“Ata që nuk kanë një djalë mbajnë kokën ulur në publik sepse shoqëria i shikon me sy të keq. Ndaj shkojnë dhe blejnë një djalë dhe e sjellin në familje. Trafikantët njerëzor përfitojnë nga kjo.”


Muajin e kaluar, një ekspozitë nga Li Yuelin solli në Pekin çështjen e fëmijëve të humbur. Shumë familje që u kishin humbur fëmijët tek trafikantët u mblodhën tek ekspozita.

Mes tyre Wu Xinghu, një prind nga provinca Shaanxi. Katër vite më parë, trafikantët e droguan atë dhe gruan e tij dhe u grabitën djalin e sapolindur Jiacheng.

Kohët e fundit, Wu dhe 22 prindër të tjerë u përpoqën t’u bëjnë apel zyrtarëve të lartë që të detyrojnë policinë lokale të kryejë hetime.

Fotografitë e fëmijëve të tyre të humbur, të stamposura në këmishat që kishin veshur, tërhoqën menjëherë vëmendjen e publikut.

“Shoferi i autobusit ku kishim hypur ndaloi autobusin dhe tha se ishte prishur dhe duhej ndërruar. Siç duket ata e kishin kuptuar se ne po bënim apel me këto veshje. Sapo zbritëm, autobusi u largua.”

Ata u ndaluan nga policia e cila i la të lirë pasi ranë dakord të hiqnin dorë nga peticioni. Wu ende ka në plan t’u drejtojë peticion udhëheqësve të lartë, për të cilët thotë ai se mbeten shpresa fundit për gjetjen e djalit të tij.
XS
SM
MD
LG