Lidhje

40 vjetori i tubacionit të naftës Trans-Alaska


Nafta është burimi kryesor i të ardhurave në Alaska. Këtë vit, ishte 40 vjetori i vënies në funksionim të tubacionit Trans-Alaska. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya na sjell nga Alaska historinë e fushës më të madhe naftë-mbajtëse në Amerikën e Veriut

Ky është tubacioni i famshëm Trans-Alaska, me një gjatësi mbi 1,200 kilometra që kalon disa vargmale, qindra lumenj dhe sjellë naftë të papërpunuar nga Gjiri Prud’hoe në veri, tek rajoni Valdez në jug.

Tubacioni 40-vjeçar është një nga transportuesit më të mbrojtur të naftës në botë. Ai është ndërtuar në formë zig-zage dhe është në gjendje të përballojë tërmete të fuqishëm.

Me një diametër prej 122 centimetrash, përmes tij janë transportuar mbi 17 miliardë fuçi nafte, duke sjellë ndryshime dramatike në ekonominë lokale.

Bumi i industrisë së naftës në Alaska i dedikohet kryesisht një njeriu, gjeologut, Tom Marshall, i cili parashikoi me saktësi se mund të ishte ari i zi, Gjirin Prud’hoe:

"Kur zgjodha këtë rajon, dikush shkroi në librin me hartat rajonale të këtij territori, "marrëzia e Marshallit". Dikush më pyeti nëse kjo më ofendoi. Jo, aspak. Unë e kuptoja pse njerëzit mendonin se kjo mund të ishte një marrëzi. Edhe guvernatori tha se zona është e ngrirë. Ne nuk ishim mësuar të punonim nën këto kushte".

Pas planit të Marshallit, punonjësit zbuluan fushën më të madhe të naftës në Amerikën e Veriut, poshtë Rrethit të Arktikut.

Kriza energjitike në vitet 1970 dhe rritja e çmimeve të naftës justifikuan shpenzimet për ndërtimin e naftësjellësit. Dhe njerëzit e Alaskës përfituan nga kjo. Çdo vit, çdo banor merr një çek mbi një mijë dollarë nga të ardhurat e naftës.

Nafta e ndryshoi Alaskën, duke sjellë përmirësime shumë të nevojshme, por edhe probleme.

"Kjo na ndryshoi në mënyrë dramatike. Pa të ardhurat e krijuara nga taksat e prodhimit të naftës në pjesën verirore të shtetit ne nuk do të kishim kurrë ujesjellës ose kanalizime. Të ardhurat tatimore erdhën kryesisht nga gjiri i Prudho-s dhe kjo përmirësoi komunitetet tona duke financuar shkollat, zjarrfikësit dhe klinikat. Ndërtimi i Gjirit Prudhoe solli edhe probleme me alkoolin në komunitetin tonë sepse ata kishin më shumë qasje në alkool."

Disa banorë tani janë të shqetësuar se Alaska është bërë shumë e varur nga nafta. Prodhimi ka rënë që nga bumi i viteve 1990. Dhe rënia e çmimit të naftës ka çuar në rënien e të ardhurave të shtetit.

"Ne ishim të larë në para, jeta ishte e lehtë dhe njerëzit nuk mendonin shumë për të ardhmen. Ne rrëzikuam shumë duke investuar vetëm në industrinë e naftës. Tani kjo industri nuk po sjellë aq shumë të ardhura dhe ne nuk kemi një industri tjetër që mund ta zëvendësoj atë".

Potenciali i prodhimit të naftës në Alaska nuk është shterruar, por shpimet në Parkun Kombëtar të Kafshëve të Egra kanë shkaktuar kritika për shkak të ndikimit negativ në botën shtazore. Por Tom Marshall beson se zbulimi i tij i naftës është çelësi i së ardhmes së Alaskës. Ai inkurajon njerëzit që të veprojnë sipas instinkteve të tyre, ashtu siç ka bërë ai.

"Nëse askush nuk ka gjetur një zgjidhje, ndoshta ju mund të jeni ai që do të mund të gjeni një fushë të pasur me naftë. Duhet të jeni optimist. Nëse nuk jeni optimist, nuk do ta kërkoni zgjidhjen", thotë gjeologu Tom Marshall.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG