Lidhje

Horizonti i Nju Jorkut në ndryshim


Pjesa perëndimore e qytetit të Nju Jorkut është në proces të një transformimi të madh. Kjo pjesë e qytetit po i largohet të shkuarës industriale për t’u zëvendësuar me qiejgërvishës të rinj, të cilët do të ndryshojnë horizontin e famshëm të qytetit. Por disa thonë se nuk do të ndryshojë vetëm pamja, por edhe vetë karakteri i qytetit.

Një pamje e njohur për shumë njerëz, në mes të një transformimi të madh.
Pjesa perëndimore e qytetit të Nju Jorkut po transformohet në një vend të teknologjisë së lartë. Projektet ngjitur njëri-tjetrit Hudson Yards dhe Manhattan West do të ndryshojnë horizontin e qytetit gjatë viteve të ardhshme.

Do të ketë një grup zyrash, ndërtesa banimi, parqe, restorante, dyqane dhe vende argëtimi.

Këto projekte janë sipërmarrja më e madhe e pasurive të patundshme që nga ndërtimi i qendrës Rockefeller në vitet 1930.

Kompleksi Hudson Yards, me një vlerë prej 15 miliardë dollarë, që do të shtrihet mes lumit Hudson dhe Avenusë 10, do të përfshijë gjashtë grataçela, një park, komplekse apartamentesh, restorante, një shkollë publike, dyqane dhe një kinema.
Në anën tjetër të rrugës, projekti Manhattan West me vlerë 5 miliardë dollarë do të përfshijë një kompleks ndërtesash për qëllime të ndryshme, të shtrirë mes Avenuve 9 dhe 10.
Katër qiejgërvishtës do të rrethohen nga një shesh publik dhe vendkalim, dyqane, garazhe dhe një hotel.
Të tëra ndërtimet, që kritikët i kanë quajtur “Hong Kongu mbi Hudson” do t’i japë Nju Jorkut vende për zyra të cilat ishin të nevojshme dhe rreth gjashtë mijë apartamente banimi.

“Do të jetë zemra e re e Nju Jorkut. Kompanitë e teknologjisë, galeritë, kultura do ta bëjnë lagjen qendrën e re ku njerëzit do të punojnë dhe argëtohen.”

Puna kryhet gjatë natës kur trafiku është i rrallë.
Dy komplekset do t’i përgjigjen nevojës për më shumë hapësirë tregtare në një qytet që nuk ka krijuar asnjë hapësirë të madhe për zyra që nga vitet ’70.
Përtej komplekseve në ndërtim, ndërtesa të tjera të reja kanë mbirë tashmë, duke tërhequr banorët të cilët përfaqësojnë një lloj banori të ri nju-jorkez.
Janë profesionistët më të suksesshëm të rinj të qytetit, të tërhequr nga një mënyrë jetese, që të jenë afër punës.

Nëpër rrugë, të ardhurit e rinj i bashkohen banorëve të hershëm, të cilët ankohen për çmimet në rritje dhe zhdukjen e bizneseve të vogla familjare.
Maury Sherman ka jetuar këtu për tridhjetë vjet dhe e ka parë vetë transformimin e lagjies së saj.

“Dyqanet janë shumë të shtrenjta, vendet ku unë gjithmonë kam blerë gjëra kanë filluar të mbyllen gjatë gjashtë muajve të fundit. Ky është një komunitet. Njerëzit e njohin njëri-tjetrin, dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Por kur të detyrohemi të shpërndahemi nuk do të jetë e njëjta situatë.”

Deri rreth një dekade më parë, kjo ishte një lagje aq papërshkrueshme saqë nuk kishte as edhe një nofkë, ndryshe nga Hell’s Kitchen këtu afër apo Greenwich Village në qendër.
Për zonjën Sherman, projektet nuk bëhen për të përmirësuar qytetin, por për përfitim.

“Nuk mendoj se ata po ndërtojnë një të ardhme më të mirë për nju-jorkezët. Mendoj se thjeshtë po bëjnë biznes.”

Sipërmarrësit e ndërtimit të Hudson Yards kanë për qëllim të përfundojnë fazën e parë të projektit të tyre në vitin 2017 apo 2018, kryesisht ndërtesat e larta tregëtare.
Faza e dytë, që përqëndrohet në vende për banim dhe vende publike të gjelbra, duhet të përfundojë nga viti 2024. Ndërsa projekti Manhattan West pritet të jetë gati nga viti 2018.
XS
SM
MD
LG