Ndërsa qeveria amerikane po bën thirrje për një kalim të rregullt të pushtetit në Kajro, disa egjiptianë dhe ekspertë amerikanë brengosen se qeveria po përpiqet të qëndrojë në pushtet duke bërë ndryshime kozmetike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mohamed Elshinaui, sjell hollësi rreth sfidave të transicionit në Egjipt.
Një nga sfidat me të cilat përballet vendi është një nen i kushtetutës egjiptiane që thotë se kryetari i parlamentit duhet të udhëheqë qeverinë e transicionit në rast se presidenti jep dorëheqje. Kjo do të mund të krijonte telashe për shkak se shumë egjiptianë i konsiderojnë zgjedhjet e fundit parlamentare si të manipuluara. Ish-Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit, Xhejmi Rubin, shpjegon:
“Njeriu i gabuar do të bëhej president: kryetari i parlamentit që ka qenë krah i djathtë i Mubarakut e që s’është figura që do të doje ta shihje në detyrë në këtë kohë të vështirë. Por kryesorja është që ecuria e reformave dhe ndryshimeve që ka filluar në takime duhet të konkretizohet sa më parë.”
Zoti Rubin thotë se pezullimi i kushtetutës është një mënyrë për të parandaluar problemin dhe për të arritur një marrëveshje se kush duhet të udhëheqë transicionin.
Amr Hamzaui është anëtar i të ashtuquajturit “Komitet i Burrave të Urtë”, i themeluar për të ndërmjetësuar mes protestuesve egjiptianë dhe nënpresidentit. Ai thotë se egjiptianët besojnë që sfida e tanishme është përballja me qeverinë, e cila sipas tyre po përpiqet të ngadalësojë procesin e reformave, duke u orvatur të ngelet në pushtet.
“Nënpresidenti duhet të mbikëqyrë periudhën e transicionit. Parlamenti duhet të shpërbëhet. Duhet të ndërmarrim disa ndryshime kushtetuese. Ne e dimë se ç’duhet për ta vënë Egjiptin në rrugën e demokratizimit. Çfarë po mungon është vullneti i qartë politik i udhëheqësve për demokratizim dhe për të ndalur konsolidimin e pushtetit që po përpiqen ta arrijnë tani.”
Disa studiues të demokracisë, si Mishell Dan, besojnë se sfida madhore tani është nëse do të ketë vërtet bartje të pushtetit në Kajro, meqë ushtria egjiptiane po ngurron t’i bëjë trysni Presidentit Mubarak që të japë dorëheqje.
“Presidenti Mubarak duhet që së paku të kalojë në një rol ceremonial dhe të mos luajë rol në qeverisje. Duhet që opozita të merret vesh me Nënpresidentit Suleiman apo me këdo që do të jetë në krye të qeverisë gjatë transicionit se çka do të ndodhë me saktësi.”
Zonja Dan thotë se frikohet që qeveria egjiptiane po përpiqet të qëndrojë në pushtet, duke bërë ndryshime të vogla kozmetike.