Lidhje

Transparency International: Kosova e 112 në botë me shkallën e korrupsionit


Transparency International: Kosova e 112 në botë me shkallën e korrupsionit
Transparency International: Kosova e 112 në botë me shkallën e korrupsionit

Organizata ndërkombëtare Transparency International, e cila mat shkallën e korrupsionit në vendet e ndryshme të botës, e ka radhitur Kosovën në vendin e 112-të me shkallën e korrupsionit. Në raportin vjetor mbi shkallën e korrupsionit në nivel botëror të kësaj organizate, thuhet se Kosova me një vlerësim prej 2.9 pikësh ka shënuar rënie për dy vende nga një vit më parë kur ishte radhitur në vendin e 110, ndonëse në notën e përgjithshme shënohet një ngritje e lehtë, meqë vitin e kaluar ajo ishte vlerësuar me notën 2.8. Mënyra e vlerësimit bëhet nga zero deri në dhjetë ku nota zero shënon shkallën më të lartë të korrupsionit. Edhe kësaj radhe Kosova është renditur në një grup me shtetet si, Algjeria, Egjipti, Moldavia, Senegali dhe Vietnami.

Drejtuesja e projektit kundër korrupsionit në Institutin Demokratik të Kosovës, Merita Mustafa, tha se fakti që Kosova renditet si vendi më i korruptuar edhe në mesin e shteteve të rajonit, paraqet një pengesë edhe në jetësimin e aspiratave të saj për integrime euroatlantike.

“Ky nivel i lartë i korrupsionit është duke e ngulfatur ekonominë e vendit tonë e më së shumti është duke e ngarkuar qytetarin e Kosovës, i cili për shkak të korrupsionit detyrohet të paguaj shuma shumëfish më të larta për produkte dhe shërbime të ndryshme, ndërkohë që i njëjti fenomen vazhdon ti shpërblej një grup të caktuar të njerëzve e që janë grupe të bizneseve dhe zyrtarë të lart publik. Po ashtu ky nivel i korrupsionit është duke e rrezikuar edhe aspiratën më të madhe të vendit tonë e që është integrimi në zonën euroatlantike”, tha zonja Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha ndërkaq se ka ende punë për të bërë por Kosova është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kosova ka bërë hapa jashtëzakonisht të rëndësishëm në betejën e së keqes, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto përpjekje të institucioneve të Republikës së Kosovës vlerësohen dhe çmohen nga të gjithë, është bërë shumë natyrisht se mbetet për të bërë edhe më tepër dhe jemi të vendosur në moton tonë zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha kryeministri Thaçi.

Prokuroria e Kosovës ndërkaq ka bërë të ditur se vetëm gjatë muajve janar-shtator të vitit 2011 janë ngritur 116 aktakuza që kanë të bëjnë me korrupsionin. Por, shefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tha se lufta kundër kësaj dukurie është e pamjaftueshme dhe se raporti i sotëm i Transaprency International pasqyron gjendjen reale në Kosovë. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, zoti Preteni tha se një shkallë më e lartë e llogaridhënies do të ndryshonte edhe perceptimin e qytetarëve për shkallën e korrupsionit.

“Sepse edhe ky raport dhe të gjitha raportet tjera bazohen në perceptimin e përgjithshëm të qytetarëve, se a ka Kosova korrupsion apo jo. Realisht qytetari i vendit po jeton keq, me shumë pengesa me shumë mangësi, në një varfëri evidente dhe normalisht që arsyetim për gjithë këtë gjendje çfarë e kemi është situata jo e mirë dhe korrupsioni them i pranishëm në bazë shqetësuese”, tha ai.

Sipas zotit Preteni, shkalla më e lartë e korrupsionit shfaqet kudo ku bëhet fjalë për paranë publike.

“Në vazhdimësi në raportet tona e kemi potencuar që në grupin e institucioneve më të përfshira në korrupsion gjithmonë prijnë katër grupe institucionesh, në mesin e tyre ndërmarrjet publike, pushteti lokal, qeveria dhe gjyqësori”, tha zoti Preteni.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë pjesë e kritereve të përcaktuara për përfshirjen e Kosovës në proceset integruese evropiane, krahas hapave tjerë për sigurimin e qëndrueshmërisë politike në vend.

XS
SM
MD
LG