Si sot 30 vjet më parë, një 25 vjeçar u përpoq të vriste presidentin e atëhershëm Ronald Reagan.
Shtetet e Bashkuara po shënojnë përvjetorin e ngjarjes me një numër programesh, përfshirë një konferencë lajmesh me ish sekretarin për Shtyp të presidentit Reagan, Jim Brady i cili u plagos rëndë nga të shtënat.
Pas kësaj, Brady u bë një nga përkrahësit kryesorë të parandalimit të dhunës me armë.
Atentati ndaj ish-presidentit Regan është regjistruar në video kaseta nga ekipe kamerash që përcillnin presidentin.
Pamjet filmike tregojnë zotin Reagan dhe anëtarët e stafit duke u larguar nga një hotel i Uashingtonit kur u dëgjuan gjashtë të shtëna me armë. Rojet e presidentit e futën atë në makinë dhe e dërguan në spital.
Një nga plumbat e kapi atë në mushkërinë e djathtë, afër zemrës. Por sipas dëshimtarëve, kur ai arriti në spital, presidenti republikan bëri shaka me mjekët, duke u thënë se shpresonte që ata të ishin me partinë republikane.
Presidenti u operua dhe shërimi i tij ishte i shpejtë. Ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë pas 12 ditësh.
Zyrtarët arrestuan 25 vjeçarin John Hinckley për atentatin dhe e akuzuan atë për përpjekje për të vrarë presidentin. Ai ka thënë se kishte qëlluar presidentit Reagan në përpjekje për t’i lënë mbresë aktores Jodi Foster.
Hinckly nuk u gjet fajtor për arsye të gjendjes së tij mendore. Ai vazhdon të mbahet në një spital psikiatrik, nën kujdesin e mjekëve psikiatër.