Lidhje

Tripoli, shfaqet i biri i Moamar Gadafit, Seif al-Islam, luftimet vazhdojnë


Tripoli, shfaqet i biri i Moamar Gadafit, Seif al-Islam, luftimet vazhdojnë
Tripoli, shfaqet i biri i Moamar Gadafit, Seif al-Islam, luftimet vazhdojnë

Në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, vazhdojnë luftimet mes rebelëve dhe forcave besnike të Moamar Gadafit. Luftëtarët rebelë thonë se kontrollojnë pjesën më të madhe të kryeqytetit, por ata po përballen me vatra rezistence nga forcat pro-qeveritare, të cilat po kundërsulojnë me mortaja dhe armë anti-ajrore. Vendodhja e Gadafit ende nuk dihet, por njëri nga djemtë e tij u shfaq sot në mënyrë sfiduese në kryeqytet, duke deklaruar se lufta do të vazhdojë.

I biri i Moamar Gadafit, Seif al-Islam, u shfaq sot në mëngjes në Tripoli, duke thënë se qeveria e të atit ende e ka në kontroll qytetin megjithë pretendimet e rebelëve se mbajnë pjesën më të madhe të tij.

Seif al-Islam doli para gazetarëve të huaj në Hotelin Rixos të kontrolluar nga Gadafi, megjithë pohimet e mëparshme të drejtuesve të opozitës dhe të Gjykatës Penale Ndërkombëtare se ai ishte në duart e rebelëve.

"Ne jemi këtu. Ky është vendi ynë. Këta janë njerëzit tanë dhe ne jetojmë këtu e do të vdesim këtu. Dhe ne do të fitojmë sepse njerëzit janë me ne, kjo është arsyeja pse ne do të fitojmë. Shikojini, ata janë kudo nëpër rrugë," tha al-Islam.

Më pas, ai u vu në krye të një autokolone e cila kaloi nëpër zonat e mbajtura nga njerëzit e Gadafit.

Një zëdhënës i qeverisë tha se trupat e Gadafit janë në kontroll të disa pjesëve të mëdha të Tripolit.

“Po ju them me detaje dhe me transparencë, se rreth 80 për qind e Tripolit është nën kontrollin tonë të plotë, në qoftë se jam i gabuar, atëherë ndoshta 75 për qind, banorët e Tripolit kanë vënë re që në orët e fundit luftimet janë fashitur,'' tha zëdhënësi.

Burime të rebelëve thonë se një tjetër nga djemtë e Gadafit – Muhamed, ndodhet në arrest shtëpie që nga dita e djeshme. Një djalë i tretë është me sa duket në paraburgim, ndërsa vendndodhja e Gadafit nuk dihet.

Kreu i Këshillit Kombëtar Kalimtar të opozitës, Mustafa Abdel Jalil pranoi se rebelët ende nuk e kanë kontrollin e plotë në Tripoli, ku forcat besnike të Gadafit po luftojnë me rebelët në vatra të vogla rezistence.

"Revolucionarët kontrollojnë pothuajse të gjithë Tripolin. Ne kemi vetëm Bab el-Aziziyan ...." "Vetëm këtë zonë," thotë një mbështetës i Gadafit.

Televizioni shtetëror - një instrument kyç i propagandës qeveritare - nuk transmeton më dhe thuhet se është marrë nga forcat rebele.

Përveç disa pjesëve të Tripolit, forcat pro-qeveritare kontrollojnë gjithashtu të paktën dy qytete të mëdha të lidhura me fisin Sabha të Gadafit.

XS
SM
MD
LG