Lidhje

Akuakultura: Trofta me dietë bimore


Në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë kërkimet për ushqime për peshqit me kosto të përballueshme. Është fjala për ushqimin e peshqve të kultivuar. Një pjesë e mirë e ushqimit që përdoret sot për peshqit e kultivuar është vetë peshku i kapur në det të hapur. Pikësisht këtu qendron problemi. Sasia e peshkut të kapur në oqean është zvogëluar ndërkohë që industria e kultivimit të peshkut është duke u rritur ndjeshëm. Shkencëtarët e Kombeve të Bashkuara dhe kultivuesit amerikanë të peshkut e kanë të qartë se prirja e tanishme është e papërballueshme. Por trofta dhe salmoni janë mishngrënës. A mund të ndryshojnë formën e ushqimit këto tipe mamalësh? A do ta dallonin konsumatorët ndryshimin e shijes?

Dhjetra vullnetarë janë rreshtuar për të provuar troftën në Shkollën e Shkencës së Ushqimit në Universitetin e Uashingtonit.

"Ja një copë për ta provuar. Shtypni butonin kur të jeni gati për copën tjetër. Ndiqni udhëzimet në ekran.

Vullnetarët provojnë tri tipe trofte që duken një lloj por që janë rritur ndryshe nga njera tjetra, një prej tyre ëshët ushqyer me peshk, një tjetër me proteinë shtazore dhe e treta pa mish.

Disa vullnetarë thonë se një prej tyre ka shijen e barit dhe ajo është trofta e kultivuar pa mish. Trofta e ushquer me mish ka shije dhe aromë më të ngjashme me atë të peshkut. Trofta që u ushqye me prodhime pule nuk kishte shijen e pulës.

Qëllimi i këtij eksperimenti është që të arrihet në një prodhim peshku të ushqyer pa mish që të ketë shije të njejtë me atë të peshkut të ushqyer me mish. Profesore Carolyn Ross është marrë me testimin e shijes së peshkut që nga viti 2008.

"Mendoj se po i afrohemi qëllimit. Patjetër që ka ndryshime mes mostrave nga aroma dhe fortësia, por nëse gatuan në shtëpi një lloj trofte, nuk do të vëresh ndonjë ndryshim të madh”.

Industria e peshkut është shumë e madhe, veçanërisht në Azi, ku konsumohen sasi të mëdha peshku, ngjalash dhe karkalecash të kultivuar, pothuajse e barabartë me konsumin e peshkut në kontinentet e tjera të mara së bashu. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë bën të ditur se kultivimi i peshkut që ushqehet me barishte deti, si krapi, mustaku dhe tilapia, po shtohet më ngadalë se sa peshku që ushqehet me mish, si salmoni, trofta dhe tuna. Kjo e bën gjetjen e ushqimit alternativ për peshkun mishë-ngrënës më të domosdoshëm.

Kjo është përparësia kryesore e industrisë, thotë kultivuesi me përvojë i peshkut, Leo Ray, nga shteti Ajdëho. Ky shtet prodhon sasinë më të madhe të troftës në Shtetet e Bashkuara. Ray thotë se ushqimi i peshkut kushtonte rreth 300 dollarë për ton 15 vjet më parë. Tani ai kushton rreth 2,000 dollarë për ton.

"Ne e prisnim këtë. Ka një farë kufiri në sasinë e peshkut që mund të prodhojë oqeani dhe ne jemi në ato kufij”.

Për salmonin është më vështirë të zëvendësohet ushqimi me mish peshku, thotë Ray, ndërsa lloje të tjera peshku si tilapia, mund t’i përshtaten më lehtë dietës me bazë bimore. Por ai nuk e shikon si opsion që peshku të kultivohet krejtësisht me ushqim bimor.

"Ne do të kishim peshk më të shëndetshëm nëse ruajmë dietën me ushqim peshku. Mendoj se ne do të kalojmë nga një dietë me 20-30 përqind ushqim peshku në një dietë me 5 përqind ushqim peshku”.

Shërbimi amerikan i Peshkimit dhe Faunës po bashkëpunon ngushtë me fermerët e peshkut dhe studjuesit e universiteteve për dietën e troftës. Shkencëtari që drejton projektin thotë se përpjekjet janë shtrirë edhe në specie të tjera veç troftës. Studime paralele po bëhen edhe për salmonin e oqeanit dhe disa specie peshku ujrash të ngrohta. Studime të tjera nga kërkuesit në Teksas dhe Alabama janë përqendruar në ushqimin me bazë bimore të karkalecave të detit të kultivuar.
XS
SM
MD
LG